Inter Miami ka shënuar fitore bindëse me rezultat 4-0 ndaj DC Unitedit, në ndeshjen e zhvilluar të shtunën mbrëma në kuadër të Major League Soccer (MLS).
Protagonistët kryesorë të skuadrës nga Florida ishin Lionel Messi dhe Luis Suarez, të cilët realizuan nga dy gola secili, duke i dhuruar ekipit të tyre një fitore të rëndësishme.
Inter Miami e nisi takimin në mënyrë perfekte, duke kaluar në epërsi që në minutën e tretë. Luis Suarez zhbllokoi rezultatin pas asistimit të German Berterames, duke i dhënë skuadrës vendase avantazhin e hershëm.
Sulmuesi uruguaian shënoi sërish në minutën e 39-të, duke realizuar golin e dytë personal dhe duke thelluar epërsinë e Inter Miamit. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e vendasve.
Në pjesën e dytë, Lionel Messi mori skenën kryesore. Ylli argjentinas realizoi në minutën e 47-të, duke e çuar rezultatin në 3-0 dhe duke regjistruar golin e 933-të në karrierën e tij profesionale.
Vetëm 13 minuta më vonë, Messi shënoi edhe golin e dytë personal. Pas një harkimi nga krahu i djathtë, argjentinasi reagoi shpejt dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-0.
Me nga dy gola secili, Messi dhe Suarez ishin vendimtarë në këtë sukses të Inter Miamit, që konfirmoi forcën sulmuese të skuadrës në këtë përballje të MLS-së.
Për Messin, kjo ishte ndeshja e parë zyrtare me klubin pas lamtumirës nga Kombëtarja e Argjentinës.





