Komisioni Evropian paralajmëron se pa ratifikimin e marrëveshjes në Kuvendin e ri, Kosova nuk mund të përfitojë rreth 900 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së
Kosova duhet ta ratifikojë sa më shpejt marrëveshjen me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes, sapo të konstituohet Kuvendi i ri, në mënyrë që të nisë përfitimin e miliona eurove nga kjo paketë financiare për Ballkanin Perëndimor. Kështu ka deklaruar një zëdhënës i Komisionit Evropian në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Kosova ishte ndër vendet e para që miratoi agjendën e reformave në vitin 2024, por mungesa e një Kuvendi funksional ka pamundësuar ratifikimin formal të marrëveshjes me BE-në, duke bllokuar kështu qasjen në fondet financiare.
“Është në interes të Kosovës që ratifikimi të ndodhë sa më shpejt, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë që ofron Plani i Rritjes, në dobi të popullatës së saj”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të fituara nga Lëvizja Vetëvendosje, pritet që Kuvendi i ri të konstituohet në javët në vijim. Vetëvendosje ka siguruar 57 ulëse në Kuvend, ndërsa për ratifikimin e marrëveshjes me BE-në kërkohen 80 vota, çka nënkupton nevojën për mbështetje edhe nga partitë opozitare.
Pa ratifikimin e marrëveshjes, Kosova nuk mund të parashtrojë kërkesë për pagesë nga Plani i Rritjes. Ky plan përfshin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe synon përafrimin e ekonomive të rajonit me standardet evropiane. Nga gjithsej 6 miliardë euro, 2 miliardë janë grante, ndërsa 4 miliardë kredi të favorshme. Kosova pritet të përfitojë rreth 900 milionë euro, duke u renditur si përfituesja më e madhe për kokë banori.
Përveç ratifikimit, Kosova duhet të zbatojë reformat e parapara në agjendën reformuese, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Sipas Komisionit Evropian, në rast të mosrealizimit të ndonjë hapi brenda afatit, ekziston një periudhë shtesë për përmbushje, por nëse as ajo nuk respektohet, fondet përkatëse humben.
“Nëse një hap nuk përmbushet deri në fund të periudhës së faljes, partneri përfitues i humb fondet e alokuara për atë hap”, ka theksuar zëdhënësi i BE-së.






