Mes status quo-së dhe njohjes, ndikimi i Trumpit në dialogun Kosovë-Serbi

Përgatiti: Fatlum Jashari

Varësisht vëmendjes dhe përkushtimit të presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump, karshi dialogut Kosovë-Serbi, në vlerësimin e opinionistëve ky proces mund të gjendet mes një “status quo”-je të re dhe një zgjidhjeje eventuale.

Duke përmendur rrethanat në të cilat ndodhet Kosova dhe pafuqinë e BE-së për të çuar e vetme procesin përpara, sipas Bekim Kabashit, kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, në një fazë fillestare mund të ketë ndikim negativ në dialog.

“Kosova tash po hyn në një fazë të re kur është nën sanksione të BE-së, në një pasiguri të madhe në hapat integrues drejt BE-së dhe NATO-s, një humbje e madhe, e jashtëzakonshme, e një mundësie siç ka qenë ajo e anëtarësimit në Këshillin e Evropës – gjë për të cilin tanimë nuk mund të shpresojmë se mund të ndodhë, sepse ka divergjenca brenda partnerëve perëndimorë. SHBA-ja të mos flasim, tash është e pasigurt se si do të jenë këto raporte dhe se ku do të fokusohet SHBA-ja, presidenti Trump”, tha gazetari Bekim Kabashi.

Duke përmendur se fokusi i Trumpit mund të jetë në zhvillime më të mëdha gjeo-politike, megjithatë Kabashi sheh një mundësi për lëvizje.

“Ajo çfarë mund ta shpëtojë dhe ndihmojë Kosovën është, nëse interesi i arritjes së paqes me Kosovës dhe Serbisë lidhet me ndonjë interes gjeopolitik – e që është e mundshme. Kjo është përfundimi i luftës në Ukrainë. Nëse mund të ndërlidhet diçka me atje, atëherë Kosova dhe Serbisë do t’i bëhet presion për të shtyrë procesin e paqes. Përndryshe do të vazhdojmë kështu edhe për një periudhë të gjatë”, shtoi Kabashi.

Derisa në fillim pret një rishikim të gjendjes në terren në raport me ujditë e Brukselit, atë të Uashingtonit, profesori Dritëro Arfi tha se normalizimi Kosovë-Serbi, me kompromise, mund të shihet si sukses i parë i Trump në politikën e jashtme.

“Nëse Kosovën dhe Serbinë nuk mund ta zgjidhësh, Ukraina, Lindja e Mesme dhe Kina janë kafshata jashtëzakonisht të mëdha. Pra duke filluar nga hapet e vegjël dhe sukseset e vogla, mund të determinohet edhe suksesi i madh. Shpresoj që ndoshta kjo është logjika që administrata e re e Trump mund ta ndërtojë në Kosovë dhe në Serbi. Dhe, të mos befasohemi në shumë sesa këto marrëveshje, nuk përjashtohet as njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Arfi.

Gjatë mandatit të Joe Biden, Kosova dhe Serbia nën lehtësimin e BE-së u dakorduan për marrëveshjen bazë dhe shtojcën, por pa ecur me zbatim.

Paraprakisht, në fund të mandatit të parë të Trump, më 4 Shtator 2020, Kosova dhe Serbia u dakorduan për një listë zotimesh në Shtëpinë e Bardhë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA