Profesori i medias dhe konfliktit, Abit Hoxha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nuk merr pjesë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, pasi mendon se nuk i takon të ndikojë në vendime për një vend ku nuk jeton.
Hoxha shpjegoi se jeton jashtë Kosovës dhe kalon vetëm një ose dy muaj në vend, prandaj nuk ndien se duhet të marrë vendime që ndikojnë në jetën e qytetarëve vendas.
“Unë personalisht me lejo ta them një mendim se unë nuk votoj. Demonstrativisht nuk votoj, për shkak se mendoj se nuk më takon t’ia ‘rregulloj’ jetën e askujt në Kosovë. Unë jam prej një vendi, i cili ka një shëndetësi të mirë e ka një arsim të mirë, sistem fantastik të arsimimit edhe ka një infrastrukturë më të avancume se Kosova. Unë qëndroj në Kosovë ndoshta një ose dy muaj gjatë vitit dhe mendoj se nuk më takon, por kjo nuk do të thotë se njerëzit nuk kanë të drejtë, nuk do të thotë se nuk e përkrahi dikënd të votojë në Kosovë. Njerëzit që mendojnë se kanë të drejtë, rrjedhimisht kanë të drejtë votojnë përderisa ligjërisht kanë të drejtë”, tha Hoxha.
Ai theksoi rëndësinë e diasporës në zgjedhje, duke përmendur se pjesëmarrja e tyre mund të jetë vendimtare për kursin politik të vendit.
“Nëse i përket kësaj, sa janë vendimmarrëse këto votat të diasporës, mendoj se numrat tregojnë vet. Na e kemi një trup elektoral 0.9 milion votues nëse nuk gaboj edhe mund të ketë 10-15 për qind të këtij trupi votues, pa marrë parasysh sa njerëz marrin pjesë në zgjedhje, atëherë kjo mund të jetë vendimtare për këto zgjedhje”, u shpreh Hoxha.
Intervistën e plotë me Abit Hoxhën në emisionin CONTEXT e gjeni në videon më poshtë: