Me përfundimin e dëshmisë së James Peter Covey, Mbrojtjes së Hashim Thaçit, i kanë mbetur edhe tre dëshmitarë të tjerë për ta përfunduar çështjen e tyre në procesin në Gjykatën Speciale.
Por, dëshmitë e këtyre që kanë mbetur, sipas Avokatit Luka Mishetiq, nuk do jetë e mundur të përfundojnë brenda afatit të caktuar nga gjykata.
Andaj, ky vlerëson se duhet afat shtesë.
“Nuk do të jetë e mundur që të përfundojmë me datën 14 dhe për të dërguar mocionet e tjera që na duhen, e po ashtu edhe dosjen përfundimtare të datës 22 dhjetor”, u shpreh Luka Mishetiq.
Kësaj, kërkese iu bashkëngjit edhe avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon.
“Janë edhe një numër apelesh të cilat duhet të merren parasysh në kuadrin e provave të përbashkëta dhe në kuadër të asaj që do pranohet në prova”, deklaroi Dixon, avokat i Kadri Veselit.
Andaj, këta paralajmëruan që së bashku, ta dorëzojnë edhe në formë të shkruar, kërkesën për zgjatje të afatit.
“Pra, ne presim që ta bëjmë një kërkesë të përbashkët për ta shtyrë këtë afat përpara se ta bëjmë këtë kemi folur me Prokurorinë dhe do të komunikojmë me palët e interesit për të arritur një marrëveshje përpara se të vijmë me kërkesën tonë për këtë shtyrje afati”, tha Luka Mishetiq.
Këtë çështje, Mishetiq e ngriti, pas deklarimit të gjykatësit Smith të mërkurën, i cili tha se deri më 14 nëntor duhet dhe është e mundshme të përfundojnë të gjithë dëshmitarët, përfshirë edhe ata të Jakup Krasniqit.