Në komunat veriore të Kosovës serbët janë mbledhur sërish kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave.
Në Leposaviq, Zubin Potok dhe në Zveçan, protestuesit serbë janë tubuar për herë të katërt këtë javë, mes tensioneve në rritje, pasi të premten e javës së kaluar Policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët e rinj shqiptarë të futeshin nëpër komuna.
Situata aktualisht është e qetë në tri komunat. Megjithatë, kujtojmë se të hënën protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.
Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.