Mbi 200 mijë qytetarë të Kosovës kanë lënë vendin gjatë pesë viteve të fundit, duke kërkuar strehim dhe mundësi më të mira jetese në shtetet e Bashkimit Evropian, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.
Ky numër përfaqëson më shumë se 12% të popullsisë së përgjithshme të vendit, duke e bërë migrimin një nga sfidat më serioze socio-ekonomike për Kosovën.
Vetëm në vitin 2024, rreth 39 mijë kosovarë kanë aplikuar për leje qëndrimi në BE, me Gjermaninë që mbetet destinacioni kryesor.
Sipas njohësve të fushës, trendi tregon për një ikje të vazhdueshme që lidhet ngushtë me mungesën e perspektivës, papunësinë dhe kushtet ekonomike e pagat e ulëta në Kosovë.
Kryesindikalisti i sektorit privat: Mbi 350 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova, shumica për punë në Gjermani
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat ka deklaruar se numri i qytetarëve të larguar nga Kosova është shumë më i lartë se shifrat zyrtare.
Sipas tij, 350 mijë qytetarë kanë ikur nga Kosova gjatë pesë viteve të fundit.
“Kjo shifër është mbi 350 mijë por 200 mijë janë njerëz të cilët kanë gjetur vende pune kryesisht në Gjermani. Shpeshherë kur i japim disa shifra për udhëheqësit e shtetit, ne po i fryjmë këto shifra. Pjesa dërrmuese e këtyre ikjeve kanë qenë punëtorët të sektorit privat, por edhe në publik”, thotë Azemi.
Sipas tij, paga mesatare nuk mjafton për një jetë dinjitoze.
Ai thotë se mungesa e sigurisë në punë dhe perspektivës ka shtyrë mijëra qytetarë të kërkojnë të ardhme jashtë vendit.
“A ka mundësi të më tregoj dikush se a mund të bëjë bazë jetese dikush me këto paga që po merren sot dhe a mund të mbijetoj dikush me 600 euro pagën mesatare. Punëtorët kanë pritë që do të bëhet më mirë por e kanë kuptuar që nuk ka paga të mira, as siguri në punë, as sigurime. As nuk ka pas dhe as nuk ka perspektivë me jetu në Kosovë”, u shpreh ai.
Deputeti i PDK-së: Të rinjtë po ikin nga Kosova si pasojë e keqqeverisjes
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala i cili ishte edhe Kryetar i Komisionit për Ekonomi, ka kritikuar ashpër qeverinë për situatën ekonomike dhe largimin masiv të të rinjve nga vendi.
Sipas tij, të rinjtë po braktisin Kosovën çdo ditë të zhgënjyer nga politikat jozhvillimore dhe mungesa e perspektivës.
“Kosovën po e braktisin përditë e më shumë të rinj të cilët kanë humbur besimin e shpresën për një jetë më të mirë në Kosovë si rezultat i politikave të dëmshme e jo zhvillimore që ka kjo qeveri”, tha Shala.
Ai shtoi se mungesa e vendeve të punës dhe fuqisë punëtore janë pasojë direkte e keqqeverisjes.
“Sot në Kosovën janë ndërprerë të gjitha investimet, po mbyllen bizneset nga politikat e keqqeverisjes brenda një mandati kemi tri here ngritje të çmimit të energjisë e si rezultat ka rënë prodhimi vendor dhe kemi shkallë të lartë të inflacionit. Rinia nuk po gjenë vende të lira pune, tregu i punës është në mungesë të fuqisë punëtore si rezultat i keqqeverisjes”, shprehet Shala.
Ish-ministri i Tregtisë: Shpresat nga të rinjtë për ndryshim me Kurtin u shuan, Kosova po zbrazet
Ismet Mulaj, ish-ministri i Tregtisë ka hedhur kritika kundrejt qeverisë Kurti për dështimin në përmbushjen e pritjeve të qytetarëve.
Sipas tij, shumë kishin shpresuar se me Vetëvendosjen do të hapej një kapitull i ri zhvillimi për Kosovën, por kjo nuk ka ndodhur.
“Pritjet e qytetarëve kanë qenë të mëdha që Albin Kurti me LVV do të bëjnë ndryshime e do të hapët fryma e zhvillimit në Kosovë por ky realitet nuk është prekur të cilin e kanë pritur shumë të rinj e të reja”, ka deklaruar ai.
Mulaj ka shtuar se mungesa e perspektivës dhe humbja e besimit po e zbrazin vendin.
“Liberalizimi i vizave ka krijuar mundësi që të rinj të shohin vende të ndryshme të BE dhe me punuar tek të afërmit e tyre, ky është problem i madh që fuqia punëtore po ik dhe gradualisht do të ikë edhe truri i Kosovës se nuk po shohin perspektiv dhe ka hupur besimi se ky vend mund të zhvillohet”, potencoi Mulaj.
Ish-ministri Reçica: Migrimi masiv pasojë e mungesës së reformave të qëndrueshme
Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka folur për “Front Online” lidhur me largimin e mbi 200 mijë qytetarëve nga Kosova në pesë vitet e fundit, duke e cilësuar këtë si tregues të një krize strukturore në vend.
Sipas tij, ky fenomen nuk është vetëm migrim, por humbje e kapitalit njerëzor më të çmuar.
“Largimi i mbi 200 mijë qytetarëve nga Kosova në pesë vitet e fundit është tregues i qartë i krizës strukturore me të cilën përballet vendi. Nuk bëhet fjalë vetëm për migrim, por për humbjen e kapitalit më të çmuar, gjeneratës së re dhe forcës punëtore aktive. Kjo shifër pasqyron mungesën e perspektivës ekonomike, papunësinë e lartë, pagat e ulëta dhe mosbesimin e qytetarëve në institucione”, u shpreh ai.
Ai u shpreh se arsyet kryesore janë mungesa e perspektivës ekonomike, papunësia e lartë e pagat e ulëta.
“Shkaqet janë të lidhura ngushtë me dështimin për të krijuar politika të qëndrueshme zhvillimore. Arsimi nuk është i harmonizuar me nevojat e tregut të punës, vendet e punës janë të pakta dhe shpesh të pasigurta, ndërsa korrupsioni dhe keqqeverisja e thellojnë ndjenjën e pasigurisë”, ka deklaruar ai.
Reçica kritikon qeverinë për mungesë të reformave të qëndrueshme në ekonomi, arsim dhe qeverisje.
“Kjo situatë duhet të shihet si thirrje urgjente për reforma në ekonomi, arsim dhe qeverisje. Vetëm nëse krijohen mundësi reale për punësim dinjitoz, rritje profesionale dhe institucione të besueshme, mund të ndalet ky trend. Ikja e qytetarëve do të vazhdojë të dëmtojë jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe kohezionin shoqëror të Kosovës”, ka deklaruar Reçica.
Sociologu Selishta: Emigrimi po ndikon rëndë në strukturën e popullsisë
Sociologu Bekim Selishta ka paralajmëruar për pasojat e rënda që po sjell emigrimi masiv në Kosovë, duke e quajtur largimin e mbi 200 mijë qytetarëve një “vakum serioz demografik”.
Sipas tij, ky numër përfaqëson rreth 11–12% të popullsisë dhe përbëhet kryesisht nga të rinj dhe persona të aftë për punë.
“200 mijë përfaqësojnë afërsisht 11–12% të popullsisë së përgjithshme. Ky është një vakum serioz demografik. Pjesa më e madhe e atyre që emigrojnë janë të rinj e të aftë për punë, që do të thotë se Kosova humb një pjesë të madhe të kapitalit njerëzor”, thotë Selishta.
Ai e përshkruan këtë situatë si një nga sfidat më serioze për të ardhmen e Kosovës, duke thënë se humbja e potencialit të gjeneratës aktive kërcënon stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.
“Largimi i të rinjve dhe i familjeve çon në tkurrje të numrit të nxënësve, studentëve dhe ulë motivimin për zhvillim afatgjatë. Me natalitet në rënie dhe emigrim të lartë, struktura e popullsisë po plaket, çka e bën edhe më të vështirë të mbahen sistemet sociale (p.sh. pensionet). Ky vakum është një nga sfidat më serioze të shtetit të Kosovës, jo vetëm numerikisht, por sidomos për faktin se humb potencialin e gjeneratës aktive”, tha Selishta për “Front Online”.
Gjermania mbetet destinacioni më i preferuar për qytetarët kosovarë. Sipas disa të dhënave të autoriteteve të Kosovës, në Gjermani jetojnë rreth 600.000 shtetas të Kosovës. MPJD ka kumtuar nga fundi i vitit 2023 se jashtë vendit jetojnë rreth 54% e popullatës me origjinë nga Kosova. Ndërkohë që numri është rritur.