Nemanja Matić është pjesë e Sassuolos që nga kjo verë dhe ka arritur shpejt të sigurojë një vend si titullar në skuadrën italiane, ku aktivizohet krah portierit Kosovar Aro Muriç.
Në një intervistë për revistën “Four Four Two”, mesfushori serb foli edhe për festimet e Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës ndaj Serbisë në Kampionatet Botërore 2018 dhe 2022. Dy futbollistët, të cilët përfaqësojnë Zvicrën, festuan golat me simbolin e shqiponjës dykrenare.
Sipas Matićit, këto veprime nuk kishin karakter sportiv, por politik.
“I respektoj si lojtarë dhe kam luajtur disa herë kundër tyre në Ligën Premier. Megjithatë, me veprime të tilla fitojnë pikë të lira politike. Ata janë rritur në Zvicër dhe nuk tregojnë respekt për vendin që përfaqësojnë. Nëse e duan kaq shumë Shqipërinë, pse nuk luajnë për Shqipërinë?”, u shpreh ai.
Matić theksoi se nuk ka asgjë të keqe të ndihesh i lidhur me më shumë se një vend, por sipas tij sinqeriteti duhet të jetë i qartë.
“Mund të duash disa vende. Unë e dua Serbinë sepse është vendi im, por gjithashtu e dua Anglinë, ku kam kaluar shumë vite. Gjithsesi, nuk do të thosha kurrë se e dua Anglinë më shumë se Serbinë. Duhet të jesh i sinqertë”, deklaroi ai.
Në fund, ai shtoi se marrëdhëniet e tij me Xhakën dhe Shaqirin kanë qenë gjithmonë korrekte dhe profesionale, duke theksuar se kurrë nuk do të përdorte gjeste provokuese në fushë. /ATVLIVE.TV






