Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.
E pas këtij raporti, ka reaguar sot zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se të thuhet se në Kosovë nuk ka liri të shprehjes është totalisht e pavërtetë.
Manxhuka tutje thekson se në Kosovë, jo që ka liri të shprehjes, por ka liri absolute të të shprehurit. Madje deri edhe në mosndëshkim absolut të shpifjes.
Lexoni të plotë postimin e Manxhukës:
“Me thënë se në Kosovë nuk ka liri të shprehjes është totalisht e pavërtetë. Në Kosovë jo që ka liri të shprehjes, por ka liri absolute të të shprehurit. Madje deri edhe në mosndëshkim absolut të shpifjes.
Por, si ky raport? E thjeshtë.
Këta që sot po reagojnë “të çuditur” me raportin janë ata që kanë dhënë përgjigje para përpilimit të këtij raporti. Pra, raporti flet për Kosovën sikur kanë folur këta të Kosovës. Duke dashur ta godasin Qeverinë përmes raporteve, në fakt janë duke dalë edhe më joseriozë.
Liria, mendimi, liria e mendimit, shprehja, asnjëherë nuk janë ndalur e as s’mund të ndalen. Por, gënjeshtra ka kosto, nëse jo përmes normash, atëherë me humbje kredibiliteti. Dhe për këtë kanë përgjegjësi këta që sot po “çuditen”.
Për të konstatuar lirinë ose jo të shprehjes nevojitet në cilëndo natë (e hënë- e premte) me i pa “debatet televizive”. Asgjë më shumë.