Lumturia është një nga ndjenjat më të kërkuara, por ajo mbetet një koncept i ndërlikuar.
Por çfarë është në të vërtetë lumturia? A jemi vërtet të lumtur? Këto dilema u shtjelluan të hënën në emisionin “Libero me Resul Sinanin” në ATV, ku të ftuarit ndanë perspektivat e tyre mbi këtë temë.
Mjeshtri i meditimit, Sheki Useini, theksoi se shumica e njerëzve e kërkojnë lumturinë duke e kushtëzuar me faktorët e jashtëm, duke menduar se ajo varet nga të tjerët apo nga gjërat materiale.
“Të gjithë e aksesojnë në momente të caktuara, fatkeqësisht duke e kushtëzuar me faktorët e jashtëm, duke e kërkuar lumturinë tek njerëzit dhe te të mirat materiale, tek realiteti 3D që ne e përjetojmë, por jo duke u mësuar ta qetësojmë mendjen dhe ta aksesojmë në mënyrë të suksesshme atë që ne e quajmë lumturi të pakushtëzuar,” tha Sheki.
Ndërkohë, gazetarja Behare Bajraktari kishte një tjetër këndvështrim, duke argumentuar se njerëzit nuk janë në kërkim të lumturisë si një qëllim më vete, por thjesht duan të ndërtojnë një jetë të mirë përmes familjes, shkollimit dhe suksesit.
“Asnjëherë nuk kam dëgjuar që njerëzit janë në kërkim të lumturisë… njerëzit janë në kërkim të jetës së mirë, janë në kërkim të familjes, në kërkim të shkollimit, janë në kërkim të arritjeve të veta dhe ato janë pjesë të lumturisë. Unë nuk kam dëgjuar për kaq vite që njerëzit po kërkojnë diku lumturinë se do e gjejnë aty,” tha Bajraktari.
Nga ana tjetër, psikologja Bardha Gerdovci tha se lumturia fillon brenda familjes dhe më pas zgjerohet në rrethin social dhe jetën profesionale.
“Dashuria që ofrohet në familje, aty fillon të kultivohet një lloj lumturie në brendësinë tonë. Më pas, duke u rritur, është edhe kyçja në rrethin social, ku hyn familja e gjerë, mandej edhe shkollimi e të tjera. Faktikisht, lumturia fillon te familja dhe më pas ne si individë e zbërthejmë në mënyra të ndryshme,” tha Bardha.
Vlen të ceket se sipas Raportit Botëror të Lumturisë për vitin 2025, kosovarët janë më të lumturit në rajon. Kosova, ashtu si në vitin e kaluar, mban vendin e 29-të në listën e shteteve më të lumtura në botë, nga 147 shtete.
Për të ndjekur emisionin e plotë klikoni në linkun e mëposhtëm: