KF Llapi ka zyrtarizuar një përforcim të rëndësishëm në repartin ofensiv, duke njoftuar transferimin e sulmuesit qendror Fiton Ademi.
23-vjeçari i bashkohet skuadrës nga klubi kampion i Maqedonisë së Veriut, KF Shkëndija Tetovë, duke sjellë me vete përvojë të vlefshme pavarësisht moshës së re.
Ademi ka ndërtuar një CV solide, me paraqitje në garat evropiane dhe me titullin kampion të fituar me Shkëndijën në edicionin e kaluar, çka e bën një përforcim të rëndësishëm për ambiciet e Llapit në këtë sezon.
Sulmuesi pritet të ketë rol kyç në objektivat e klubit, ndërsa afrimi i tij shihet si një nga lëvizjet më të rëndësishme të afatit kalimtar.
Njoftimi i klubit:
Klubi Futbollistik Llapi ka njoftuar se Fiton Ademi ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2028, duke u bërë zyrtarisht pjesë e familjes bardhekaltër.
Ademi vjen te Llapi nga Shkëndija Tetovë, me të cilën sezonin e kaluar u shpall kampion. Gjatë qëndrimit te klubi nga Tetova, ai ka zhvilluar 69 paraqitje zyrtare, duke realizuar 16 gola dhe 9 asistime.
Në sezonin e fundit, Fiton Ademi ka zhvilluar paraqitje në garat evropiane, duke luajtur në kualifikimet e UEFA Champions League, Europa League dhe Conference League – arritje të rëndësishme për një futbollist vetëm 23-vjeçar. Me këtë përvojë, Ademi vjen në klubin tonë si një përforcim me vlera të larta, i gatshëm të kontribuojë menjëherë në realizimin e objektivave tona.
KF Llapi i uron Fiton Ademit mirëseardhje dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër.







