Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ka deklaruar se është ndërprerë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pasi sipas tij, janë shkelur të drejtat themelore të popullit serb dhe dispozitat kushtetuese e rregullorja e Kuvendit.
“Është ndërprerë seanca, seanca konstituive e Kuvendit, siç e dini. Arsyeja është, para së gjithash, sepse po shkelen të drejtat themelore të njeriut të popullit serb, po shkelet rendi kushtetues, po shkelet edhe rregullorja në punën e Kuvendit. Ata janë të vetëdijshëm për atë që po bëjnë. Në seancën e kaluar disa herë kam biseduar me përfaqësuesin e Kuvendit, i kam tërhequr vërejtjen për lëshimet dhe për gjithçka që po shkelin. Po shkelin nenin 67, paragrafin 4 të Kushtetutës, po shkelin rregulloren e Kuvendit, nenin 12, paragrafin 6.1, i cili qartë thotë se nënkryetari, kushdo që kandidohet për vendin e nënkryetarit që i takon popullit serb, duhet të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve serbë,” ka thënë Simiq.
Ai ka theksuar se kandidati i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka fituar mandat të ligjshëm me 12.355 vota dhe gëzon mbështetjen e nëntë nga dhjetë deputetët serbë, ndërsa ka akuzuar pushtetin se po synon vendosjen e Nenad Rašić në këtë post në kundërshtim me rregullat.
“Në këtë rast është zoti Slavko Simiq, i cili ka mandat të ligjshëm dhe legjitim të fituar në zgjedhjet demokratike dhe këtë rast e ka fituar me 12.355 vota. Për fat të keq, po shkelet rregullorja, po shkelen rregullat, gjithçka me qëllim që, falë mbështetjes së partisë në pushtet dhe regjimit të Albin Kurtit, në atë vend të vendoset Nenad Rashiq dhe këtë të gjithë duhet ta dinë mirë. Në kundërshtim me të gjitha rregullat, njëkohësisht duhet të dihet se ai Nenad Rashiq nuk ka mbështetjen as të deputetëve serbë, e as të popullit serb, sepse ka fituar më shumë se pesë herë më pak vota sesa që ka fituar kandidati Slavko Simiq,” është shprehur ai.
Deputeti i Listës Serbe ka njoftuar se partia e tij do të paraqesë ankesë në Gjykatën Kushtetuese.
“Dua t’ju njoftoj se Lista Serbe do të paraqesë ankesë në Gjykatën Kushtetuese, sepse rregullat janë shkelur. E shfrytëzoj rastin që t’i ftoj deputetët e partive të tjera shqiptare dhe të komuniteteve të tjera jo shumicë që të mos votojnë kundër një vendimi kushtetues,” ka theksuar Simiq.
Ai ka shtuar se Slavko Simiq gëzon mbështetjen e nëntë nga dhjetë deputetët serbë dhe se vendi i nënkryetarit i takon atij.
“Pra, edhe një herë, ne do të vazhdojmë me qëndrimin që është i qartë. Zoti Slavko Simić ka nëntë nënshkrime mbështetjeje nga dhjetë dhe e meriton atë vend. Ka edhe një gjë që duhet ta dini. Në momentin kur është zgjedhur nënkryetari i dytë që i takon një komuniteti jo shumicë, jo serb, gjithashtu është shkelur,” ka përfunduar deputeti i Listës Serbe./ATVLIVE/