Përmes një deklarate publike, dy ditë para zgjedhjeve në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, Lista serbe u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës “për bojkot të përgjithshëm të këtyre zgjedhjeve” të cilat i quajti jodemokratike”.
“Le të mbesin të zbrazëta të gjitha vendvotimet më 23 prill, gjë që do të dërgojë një mesazh të qartë për Prishtinën dhe komunitetin ndërkombëtar”. Serbët “të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien në provokimet e regjimit të Albin Kurtit, qëllimi i vetëm i të cilit me këto zgjedhje është të dëbojë serbët nga veriu i Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Veç thirrjes për bojkot, Lista Serbe, që nuk garon në zgjedhjet e 23 prillit, ka deklaruar se serbët duhet t’i shikojnë me përbuzje të gjithë ata që planifikojnë të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të cilin e ka qujatur të paligjshëm dhe që është kundër interesave të popullit serb”..
Thirrje për mospjesëmarrje në zgjedhje ka bërë të premtën në Beograd edhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
“Dua t’i bëj thirrje, t’ju lutem, t’i bëj thirrje popullit tonë të Kosovës që të qëndrojë i qetë, të nxjerrë të gjithë atë hipokrizi në dritë, të tregojë se deri ku ka arritur sundimi i ligjit, sa larg demokracia ka shkuar… Serbët duhet të qëndrojnë të qetë, duhet të qëndrojnë dinjitoz. Ata vërtet kanë duruar gjithçka me kokën lart, sepse nuk iu përgjigjën provokimeve”, tha Bërnabiq.
Ajo e quajti “hipokrizi” mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës.
“Të organizohen zgjedhje në të cilat marrin pjesë më pak se 2% e popullsisë, të organizohen disa ditë pasi kemi shënuar 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit, marrëveshja e parë për normalizim dhe të cilën Prishtina nuk e përmbushi asnjë fjalë të vetme nga ajo Marrëveshje. Komuniteti ndërkombëtarët, Bashkimi Evropian vendet e QUINT-it, përfshirë SHBA-në, heshtin ose japin vetëm deklaratë për media dhe tani keni organizimin e këtyre të ashtuquajturave zgjedhje”, tha Bërnabiq.
Edhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është shprehur i mllefosur me deklaratat e shteteve të QUINT-it që thanë se me apo pa pjesëmarrjen e serbëve, do t’i njohin si legjitime zgjedhjet, dhe do t’i mirëpresin rezultatet. /atvlive.tv