Lideri i partisë politike Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka dalë në mbështetje kapitenit të Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, pas akuzave të rënda që u hodhën ndaj tij nga një tifoz.
Përmes një reagimi publik, Limaj ka dënuar ashpër gjuhën fyese dhe akuzat ndaj sulmuesit kosovar, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe të pabaza.
“Vedat, mos u mërzit. Çdo shtëpi e ka ‘berllogun’ e vet. Të tillët e kanë thuajse në natyrë me fyer e me etiketuar ata që me zemër i kanë shërbyer dhe i shërbejnë atdheut,” ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se persona të tillë nuk përfaqësojnë vlerat e shoqërisë kosovare dhe se shpifjet e tyre burojnë nga mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë dhe respektit për vendin.
Në fund, Limaj ka shprehur mirënjohje për Muriqin dhe gjithë ekipin kombëtar, duke vlerësuar kontributin e tyre në promovimin e dashurisë për fanellën dhe shtetin.
“Vazhdo me kokën lart, jemi krenarë me ju,” përfundoi ai.






