Liga e Kampionëve vazhdon edhe sonte, në aksion Real Madridi, Liverpooli, City dhe Arsenali

Liga e Kampionëve vazhdon sonte me një program të ngjeshur, ku nëntë ndeshje të vlefshme për xhiron e katërt të fazës së ligës pritet të sjellin emocione dhe përballje interesante mes disa prej klubeve më të mëdha të Evropës.
Spektakli nis në orën 18:45, me dy takime që pritet të tërheqin vëmendjen e tifozëve. Real Madridi udhëton drejt Greqisë për t’u përballur me AEK-un, ndërsa Liverpooli do të ketë një sfidë të vështirë në Turqi, ku do të ndeshet me Fenerbahçen.
Reklamë
Skuadra madrilene vjen në këtë takim në formë të shkëlqyer, pasi ka regjistruar tri fitore në tri ndeshjet e para të këtij edicioni. Reali ka triumfuar ndaj Interit me rezultat 2-1, Romës 4-3 dhe Leipzigut 4-1, ndërsa tani synon të vazhdojë ecurinë perfekte edhe në transfertën greke.
Megjithatë, statistikat nuk janë në favor të plotë të gjigantit spanjoll. Real Madridi ka fituar vetëm një nga tetë ndeshjet evropiane si mysafir ndaj skuadrave greke, ndërsa AEK-u ka arritur të shmangë humbjen në dy përballjet e zhvilluara në shtëpi kundër madrilenëve.
Në anën tjetër, Liverpooli do të kërkojë të vazhdojë serinë e fitoreve në një prej udhëtimeve më të vështira, atë në Stamboll, ku e pret Fenerbahce.
Skuadra angleze ka triumfuar në tri ndeshjet e para të këtij edicioni ndaj Atletico Madridit, LASK-ut dhe Villarrealit. Megjithatë, historia nuk është në anën e tyre, pasi Liverpooli ende nuk ka arritur të fitojë në gjashtë ndeshje si mysafir ndaj ekipeve turke në Ligën e Kampionëve.
Një arsye shtesë për ta ndjekur këtë përballje nga afër për tifozët kosovarë është prania e sulmuesit të Kosovës, Vedat Muriqi, i cili pritet ta nisë ndeshjen nga minuta e parë për Fenerbahçen.
Pjesa tjetër e programit sjell edhe shtatë përballje të tjera, ku vëmendja kryesore do të jetë te dueli mes RB Leipzigut dhe Manchester Cityt.
Kampioni anglez synon fitoren e tretë në këtë fazë të garës, ndërsa skuadra gjermane kërkon reagim pas disfatës 4-1 nga Real Madridi në xhiron e kaluar. Përballjet e fundit direkte kanë qenë në favor të Cityt, që ka regjistruar katër fitore në gjashtë ndeshjet e fundit kundër Leipzigut.
Edhe Arsenali do të jetë në aksion, teksa udhëton në Çeki për t’u përballur me Slavia Pragën. Londinezët ende nuk e njohin humbjen në këtë edicion, pasi kanë mposhtur Napolin dhe Lillen, ndërsa kanë barazuar 2-2 në udhëtim ndaj Bayern Munichut.
Një tjetër duel interesant zhvillohet në Gjermani, ku Borussia Dortmundi do ta presë Real Betisin në stadiumin “Signal Iduna Park”.
Ndërkohë, në Portugali, Porto do të ketë përballë kampionin italian, Napolin, në një ndeshje që pritet të jetë mjaft e luftuar.
Programi i mbrëmjes plotësohet nga përballjet PSV Eindhoven – Club Brugge, Lens – Como dhe Viking – Sabah.
Reklamë










