Përgatiti: Arton Hamiti
Liderët e Kosovës mezi po presin të bashkëpunojnë me Donald Trumpin, i cili do të jetë presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kështu u shprehën edhe presidentja Vjosa Osmani, edhe kryeministri Albin Kurti, në urimet për republikanin, që e mposhti në zgjedhje demokraten Kamala Harris.
“Mezi pres të punoj me administratën e re për t’i thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, lideren e botës së lirë!”, tha Osmani.
Edhe Kurti e përmendi aleancën me Amerikën, në urimin për Trumpin.
Megjithëse, partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e preferonte Harrisin për presidente.
“Urime president Donald Trump në fitoren tuaj elektorale. SHBA-ja është aleate kyçe, mike dhe partnere e Kosovës dhe presim me padurim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”, ka shkruar Kurti.
Fitorja e republikanit u përshëndet edhe nga opozita kosovare.
Trumpin e ka uruar për fitoren edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjithashtu falënderoi presidentin aktual të SHBA-së, Joe Biden, për bashkëpunimin.
“Pres me kënaqësi privilegjin e madh për të punuar me presidentin e 47-të për të thelluar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe progres të mëtejshëm”, ka shkruar Rama.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shkroi se me presidentin e ri amerikan do të punojë për ta “përparuar paqen përmes forcës në NATO.”
“Lidershipi i tij do të jetë përsëri kyç për të mbajtur Aleancën tonë të fortë”, ka shkruar Rutte.
Rezultatet e zgjedhjeve pritet të ndikojnë në politikat globale, kur bota përballet me tensione në rritje dhe sfida të sigurisë. Andaj, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se qasja e Donald Trumpit në çështjet globale mund ta sjellë paqen në Ukrainë.