Lëvizja Vetëvendosje reagoi pas zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës ku pati përleshje fizike mes deputetëve opozitarë dhe disa prej ministrave.
LVV thotë se sot në Kuvendin e Kosovës dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht.
Sipas LVV, disa deputetë të PDK sulmuan me grushte, si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës.
“Ky sulm po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës e cila nuk e ka asnjë ministër apo zv.ministër të kontrolluar nga Beogradi. Ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë”, shkruan LVV.
Sipas tyre, ky sulm erdhi si veprim i koordinuar “mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë”.
“Disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues. Por Kosova do të ecë përpara në konsolidimin e shtetësisë së saj, pavarësisht sulmeve të tilla”, vijon komunikata.
Lëvizja Vetëvendosje thotë se mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar për drejtësi dhe kriminelët që kanë dëmtuar shoqërinë e shtetin tonë për t’u pasuruar padrejtësisht, nuk do të amnistohen.