Regjisorja Shih-Ching Tsou rikthehet me një projekt artistik të fuqishëm emocional, dramën “Left-Handed Girl”, e cila është përzgjedhur për të përfaqësuar Tajvanin në garën për çmimet Oscar 2026. Filmi vendoset në zemër të Taipei-t, në një treg nate të mbushur me jetë, ku zhurma, ngjyrat dhe historitë e njerëzve krijojnë sfondin e një rrëfimi të ndjeshëm familjar.
Ky projekt shënon debutimin regjisorial të Tsou-së, e njohur për bashkëpunimet e mëparshme me fituesin e Oscar-it Sean Baker. Përveç regjisurës, ajo ka marrë përsipër edhe skenarin, montazhin dhe prodhimin, duke e kthyer filmin në një krijim thellësisht personal. Inspirimi për “Left-Handed Girl” vjen nga kujtimet e fëmijërisë së saj, sidomos një moment kur gjyshi e qortoi pse shkruante me dorën e majtë, si dhe historitë e shitësve të tregut të natës që ajo i vizitoi për vite me radhë.
Filmi ndjek jetën e një nëne beqare dhe dy vajzave të saj që rikthehen në Taipei për të hapur një kioskë me noodle-s. Ato përballen me dinamika të reja, sfida të përditshme dhe sekrete të së kaluarës, duke sjellë një portret të sinqertë, të gjallë dhe emocional të jetës urbane në Taiwan.
Për të ruajtur atmosferën autentike, Tsou vendosi të xhirojë në tregun e natës duke përdorur një iPhone, një metodë që i lejoi asaj të fshihej mes turmës dhe të kapte jetën spontane pa tërhequr vëmendjen e njerëzve.
“Left-Handed Girl” vjen në Netflix më 28 nëntor dhe pritet të tërheqë vëmendjen e kritikëve dhe publikut, duke u bërë një ndër filmat më të përfolur të sezonit.







