Sot ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash në Kosovë, e cila do të zgjasë gjashtë ditë.
Kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati për një mandat të dytë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Përparim Rama, ka ndarë një video-incizim nga lagjja Dardania, ku premtoi vazhdimin e punës për ndriçimin publik e ndërtimin e parkingut nëntokësor.
Rama po ashtu rikujtoi punët e realizuara pranë Termokosit, ku sheshi i ri dhe hapësirat përreth ndërtesave me fasada të rinovuara kanë transformuar zonën.
Në Gjilan, kandidati i LDK-së, Arbër Ismajli, i cili garon në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) takoi banorët e Malishevës së heroit Abdullah Tahiri, nga aty u tha se qytetarët po bashkohen për “ndryshimin përfundimtar të një qeverisjeje që ka dështuar në zhvillimin e Gjilanit”.
Kurse në Fushë Kosovë, kandidati Besnik Osmani ka premtuar rinovimin e banesave në Bresje, duke e cilësuar këtë si një zotim të palëkundur ndaj banorëve të asaj zone.
Kryetari aktual i Obiliqit, Xhafer Gashi që kërkon edhe një mandat të ri kërkoi besimin e qytetarëve për të vazhduar projektet zhvillimore me mesazhin: “Premtimet e dhëna i kemi dëshmuar me punë e vepra.
Gazmend Muhaxheri, kryetari në detyrë i Pejës, ditën e parë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve ka ndarë pamje nga transformimi i qytetit me moton “#PejaDje & #PejaSot.
Sokol Haliti, kryetari aktual i komunës së Vitisë dhe kandidat për një mandat të ri, ka zhvilluar takim me Forumin e Gruas të LDK-së teksa ka lavdëruar angazhimin e grave në politikë.
Në Junik, kryetari aktual dhe kandidat për mandat të ri, Ruzhdi Shehu u zotua për qeverisje të ndershme dhe kritikuar “kontratat e keqmenaxhuara” të ish-qeverisjes, duke thënë se “ka kaluar koha e jackpotëve”.


                                    
    




