Kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati për një mandat të dytë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama ka vizituar lagjen Tasligje, ku ka prezantuar një nga projektet kryesore për katër vitet e ardhshme.
Kryetari në detyrë i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka hapur fushatën e balotazhit me Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, duke thënë se qytetarët e Pejës vazhdojnë të zgjedhin për zhvillim, punë dhe të ardhmen e qytetit.
Arbër Ismajli, kandidat për kryetar të Gjilanit ka premtuar investime në arsim, përfshirë ndërtimin e tre shkollave të reja, modernizimin e laboratorëve dhe kabineteve, si dhe digjitalizimin e institucioneve arsimore.
Kurse Besnik Osmani, kandidat për kryetar të Fushë-Kosovës, ka bërë të ditur se programit të tij qeverisës i është bashkuar edhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB).
Osmani njoftoi gjithashtu fillimin e ndërtimit të një çerdheje moderne me kapacitet për 60 fëmijë, duke siguruar hapësira edukative dhe të sigurta për brezin e ri.
Kryetari aktual i Obiliqit, Xhafer Gashi, ka fokusuar fushatën e tij tek rinia, sporti dhe kultura, duke premtuar vazhdimin e projekteve në këto fusha në bashkëpunim me sportistët, artistët dhe organizatat joqeveritare.
Kandidati për një mandat të ri në Viti, Sokol Haliti, ka ndarë pamje nga tubimi i mbajtur në Lubishtë, ku qytetarët u mblodhën në një atmosferë entuziaste dhe mbështetje të madhe.
Kandidat i LDK-së për kryetar të Suharekës, Ardian Shala ka zhvilluar takime në Duhël dhe Studençan. Ai premtoi se zëri i secilit banor do të dëgjohet dhe respektohet në vizionin e tij për një Suharekë më të zhvilluar dhe gjithëpërfshirëse.
E ditën e dytë të fushatës, kryetari aktual i Junikut dhe kandidat për një mandat të ri, Ruzhdi Shehu, ka shpërndarë 145 bursa për studentët.







