Ish-ylli i NBA-së Lamar Odom, 46 vjeç, është arrestuar herët të shtunën në mëngjes në Las Vegas, nën dyshimin për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit, sipas të dhënave zyrtare të arrestimit dhe gjykatës.
Odom u ndalua më 17 janar, pasi policia dyshon se ai po drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe po kryente disa shkelje të rënda trafiku, përfshirë tejkalimin e shpejtësisë me më shumë se 41 milje në orë mbi kufirin e lejuar si dhe ndryshime të rrezikshme korsie.
Sipas raportimeve, ish-kampioni i NBA-së ndodhet ende në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit të Qarkut Clark, ndërsa seanca gjyqësore është planifikuar për 17 mars 2026.
Ky arrestim hap një kapitull tjetër shqetësues në jetën e Odom-it, i cili prej vitesh ka qenë në qendër të vëmendjes për luftën e tij me varësinë dhe problemet ligjore. Ish-basketbollisti i Los Angeles Lakers dhe ish-bashkëshorti i Khloé Kardashian ka pasur edhe më parë probleme me ligjin, përfshirë një arrestim për të njëjtën arsye në vitin 2013, dhe ka folur hapur për betejat e tij personale me varësitë.
Fansat dhe ndjekësit e historisë së Lamar Odom-it pritet të ndjekin nga afër zhvillimet e mëtejshme.






