Lajçaku edhe dy muaj, s’ka detaje për pozitën e tij

Përgatiti: Fatlum Jashari

Derisa Përfaqësuesi i Posaçëm për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, po përgatit takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh, mbetet e paqartë nëse pozita që ai mban do të vazhdojë së ekzistuari pas 31 Janarit 2025.

Mandati i rregullt i sllovakut ishte paraparë të përfundonte në fund të muajit gusht 2024, por BE-ja – me vendim – ia zgjati angazhimin edhe për katër muaj.

Edhe pas zgjedhjes së përbërjes së re të Komisionit Evropian, me Kaja Kallas pasuese e Josep Borrellit në pozitën e Zëvendëspresidentit dhe Përfaqësuesit të Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri, ende nuk ka një emër të propozuar për pozitën që Lajcaku e mban nga 2 Prilli, 2020.

Zëdhënësit në largim të asaj që njihet si qeveria e BE-së, në konferencën e tyre të fundit nuk dhanë detaje për diskutimet për emisarin e ri eventual për dialogun.

“Mandati i Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë vazhdon deri në fund të janarit, mandati ynë përfundon shumë shpejt, këtë të shtunë. Nuk na takon neve të komentojmë se çfarë vjen pas, por vetëm mund të bëjmë thirrje – sikurse kemi bërë pothuajse gjithmonë kur kemi folur për dialogun Kosovë – Serbi, për procedurat, marrëveshjet. Kështu që, mund të kujtoj se mandati i secilit Përfaqësues të Posaçëm në Bashkimin Evropian diskutohet, debatohet dhe, eventualisht, zgjidhet nga shtetet anëtare”, tha zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

Lajcaku dhe shefi i tij, Borrell, për vite u përballën me kritika dhe akuza nga liderët shtetërorë të Kosovës për qasje jo të balancuar në dialog dhe akomodim të Serbisë.

Derisa Lajcaku vijon punën me shefe të re, të paktën edhe për dy muaj, Borrell largohet duke lënë prapa masat ndëshkuese të cilat i vendosi vetë e të cilat u shndërruan në sanksione, për heqjen e të cilave duhet pajtim i 27 shteteve anëtare.

Edhe pse nuk dihet nëse estonezja Kaja Kallas do të kujdeset e vetme për dialogun, në të kaluarën, ish-zëvendëspresidentja Federica Mogherini, e kishte udhëhequr vetë procesin, pa emëruar përfaqësues të posaçëm.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA