Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në seancën e Kuvendit ka folur lidhur me nënshkrimin e aktit ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Para deputetëve, ajo ka thënë se ky proces është zvarritur shumë, ndërsa ka thënë se në dy vitet e fundit shtyrja e liberalizimit u ndërlidh edhe me dialogun Kosovë-Serbi.
“Dhe pa arsyetime formale liberalizimi i vizave përdorej si shkop I kushtëzimit të Kosovës sipas dinamikës së dialogut”, është shprehur Kusari-Lila.
Tutje, ajo ka deklaruar se “serioziteti i Qeverisë Kurti në zbatimin e reformave për rend dhe ligj, për shtet të së drejtës, për liri të fjalës dhe media të lira, përkushtimi në barazi të palëve dhe mbajtja në llogaridhënie e Serbisë në procesin e dialogut, ka pamundësuar shtyrjen e mëtejshme të kësaj të drejte të mohuar gjatë për qytetarët e vendit”.
“Askush nga spektri politik nuk e mohoi se kriteret teknike tashmë ishin plotësuar, por gjithashtu është e pakontestuar se vullneti politik I munguar të vendet e Bashkimit Evropian është rikthyer me kredibilitetin e qeverisjes në Kosovë”, ka thënë Kusari-Lila.