Përgatiti: Arton Hamiti
Ishte njëri nga premtimet e kryeministrit Albin Kurti në kohë fushate. Madje, rrugën Tetovë – Prizren e kishte paralajmëruar edhe zëvendësministri Hysen Durmishi. Por, puna në terren nuk ka filluar ende, teksa nga Qeveria shpalosen detaje për fazën e projektit.
“Pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet dy qeverive, ne kemi vazhduar me fazën tjetër të këtij projekti që është formimi i komisionit ndërshtetëror që udhëhiqet nga dy zëvendësministrat respektivë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe Bekim Rexhepi. Komisioni i përbashkët ka përzgjedhur variantin e që është varianti me tunelin 6.4 km”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Aktualisht, dy Qeveritë janë para nënshkrimit të marrëveshjes financiare për hartimin e projektit kryesor për këtë tunel që parashihet të ndërtohet bashkërisht.
“Rrugën në pjesën e Kosovës e projektojmë dhe e ndërtojmë ne, kurse rrugën në territorin e Maqedonisë së Veriut e projekton dhe e ndërton Maqedonia e Veriut. Kosova ka bërë hapat parë në këtë drejtim, duke finalizuar hartimin e projektit kryesor nga dalja e tunelit e deri në kyçjen në autostradën “Ibrahim Rugova”, tha Kryeziu.
Ndërkaq, pikërisht ky aks rrugor do të jetë temë diskutimi në vizitën që Kryeministri Albin Kurti të premten do ta zhvillojë në Maqedoni të Veriut.
Kurti do të marrë pjesë në inaugurimin e rrugës së re që lidh fshatin Sellcë dhe fshatin Vicë që parashihet të rrisë kapacitetet e turizmit malor dhe do të përafrojë Tetovën me Prizrenin.
Me ndërtimin e këtij aksi, rruga Tetovë-Prizren, nga rreth 3 orë sa është aktualisht, do të mund të kalohet vetëm për 30 minuta. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: