Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar deputetët e Kuvendi i Kosovës për miratimin në shqyrtim të parë të projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Megjithatë, Kurti ka kërkuar që projektligji të miratohet edhe në shqyrtimin e dytë, duke theksuar rëndësinë e tij për luftimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
“E dimë që emri i ligjit ka trazuar shumëkënd, prandaj kundërshtimet kanë qenë të mëdha, madje edhe të mbështjellura si ankesa në Gjykatën Kushtetuese, por ne nuk mund dhe nuk do të ndalemi. Do ta jetësojmë këtë zotim. Byroja do të jetësohet, sepse me të përfundimisht do të marrë fund ajo parullë që kurrë nuk do të duhej të na përsëritej në të ardhmen: ‘rroga e vogël, fitimi i madh’”, tha Kurti.
Sipas tij, pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme nuk është as private dhe as legjitime.
“Sepse ajo kurrë nuk është fituar”, u shpreh ai.






