​Kurti thirrje Maqedonisë së Veriut: Afër shqiptarëve e bullgarëve dhe larg Serbisë

Gjatë vizitës zyrtare që i ka bërë dy komunave të Maqedonisë së Veriut, Komunës së Çairit dhe Komunës së Tetovës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka marrë pjesë në manifestimin mirëseardhës që u organizua për nder të tij, në sheshin “Iliria”.

Pasi ka falënderuar nga zemra për pritjen dashamirëse që i është bërë, kryeministri Kurti, tha se është e vështirë të gjendet një tjetër popull të paktën në Evropë, për të cilin gjeografia ka qenë kaq përcaktuese dhe e rëndësishme për historinë e tij, siç është për ne shqiptarët.

Duke përshkruar distancën ajrore mes Prishtinës dhe Tetovës, e që është vetëm 74 kilometra, por si distancë rrugore, Prishtina dhe Tetova janë larg njëra tjetrës 122 kilometra, kryeministri Kurti tha se përtej këtyre dy shifrave, ku rrugorja është gati sa dyfishja e ajrores, ka edhe një dimension të tretë, që është ai kohor.

“Duke shkurtuar rrugët, ne fitojmë kohën. Ashtu siç e përjetova unë sot, si një rrugë të shkurtër dhe që mund të shkurtohet edhe më shumë, sepse me ngazëllim dhe dëshirë erdha t’ju takoj juve sot e sonte këtu. E tash, në këtë pikë, nuk e kam fjalën për rrugët automobilistike dhe autostradat, por për rrugët më të rëndësishme që janë rrugët e bashkëpunimit dhe të bashkërendimit mes neve, mes Prishtinës dhe Shkupit dhe Tiranës, Tetovës e Gostivarit, Kumanovës e Preshevës, Shkodrës dhe Ulqinit që të jetojmë më mirë e të zhvillohemi më shumë pa dallim e pa diskriminim”, tha kryeministri.

Para shumë të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se aleanca veri atlantike NATO-ja, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar janë platforma me vlerë e cila na sjellë mbrojtje e siguri sidomos në këtë kohë kur imperializimi rus e riktheu luftën në kontinentin tonë evropian.

Këtu, ai pati edhe një thirrje për Maqedoninë e Veriut.

“Maqedonia e Veriut, sa ma afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë, e sa ma larg Serbisë e cila nuk po distancohet as nga Millosheviqi dhe as nga Putini, aq ma afër ajo, pra aq ma afër Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni ynë i Ballkanit. E për këtë ne duhet ta ndihmojmë e do ta përkrahim Maqedoninë e Veriut”, tha Kurti.

Më tej, ai tha se është aty si kryeministër i Republikës së Kosovës, në një vizitë vëllazërore me shqiptarët e trevave të Maqedonisë së Veriut, “fqinjit tonë të mirë dhe vendit mik që na ka njohur si shtet neve Republikën e pavarur të Kosovës që në krye të herës dhe me të cilin kemi aq shumë shkëmbime në të gjitha fushat dhe marrëdhënie të mira ndërshtetërore”.

“Ne shqiptarët kudo që jetojmë, në Ballkan apo nëpër mërgatë, duhet të punojmë për më shumë demokraci e liri, drejtësi e mirëqenie. Ta ndihmojmë e përkrahim njëri-tjetrin, për hir të njëri-tjetrit jo kundër ndokujt tjetër. Dhe ne ia kemi dëshmuar edhe vetës edhe të tjerëve këtë, si gjatë gjithë historisë ashtu edhe para dy dekadash, kur mijëra shqiptarë nga Kosova të dëbuar gjatë luftës më 1999 nga gjenocidi, u strehuan nga vëllezërit e motrat e tyre shqiptarë të të gjitha këtyre anëve”, tha ai, duke shtuar se gjuha që e flasim, e kaluara e përbashkët dhe identiteti duhen gjallëruar bashkërisht.

“Ajo çfarë ndodhë në Kosovë, ndjehet njësoj edhe në Tetovë, ashtu siç ajo çfarë ju brengos juve këtu, është shqetësimi edhe i neve atje” përfundoi Kurti.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA