Pas takimit me Sekretaren e Shtetit për Punë të Jashtme, Yvette Cooper, dhe përfundimit të sesioneve të diskutimeve në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
Gjatë takimit, Kurti shprehu vlerësimin për udhëheqjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe organizimin e Samitit të 12-të të Procesit të Berlinit, që këtë vit po mbahet në Londër për herë të dytë pas vitit 2018.
Dy kryeministrat diskutuan mbi temat kryesore të Samitit — sigurinë, rritjen ekonomike dhe migracionin — ndërsa Kurti theksoi rëndësinë e rolit të Mbretërisë së Bashkuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe paqes.
Në takim u bisedua edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të përbashkët si energjia, siguria dhe mbrojtja, infrastruktura dhe arsimi. Kurti veçoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, duke theksuar se Kosova po vazhdon investimet në këtë drejtim.
Kryeministri Kurti falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për vendimin që Forcat e Armatosura britanike të vazhdojnë mbështetjen për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) edhe për të paktën tre vjet të tjera. Ai gjithashtu vlerësoi qëndrimin e Londrës në seancën e OKB-së, ku u bë thirrje për njohjen e Kosovës nga shtetet anëtare dhe për dorëzimin e terroristit Millan Radoiçiq nga Serbia, i cili mbetet i lirë pas sulmit terrorist në Banjskë, duke paraqitur rrezik për sigurinë në rajon.