Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin amerikan George M. Wikoff, në takimin e parë zyrtar mes tyre pas marrjes së detyrës nga ana e këtij të fundit.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti e uroi admiralin Wikoff për detyrën e re, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të plotë dhe duke vlerësuar komunikimin dhe ndërveprimin e vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, në garantimin e sigurisë dhe paqes për të gjithë qytetarët.
“Kosova është rrëfim suksesi i ndërhyrjes së NATO-s, çlirimit dhe pavarësisë, që është kthyer në motor të zhvillimit ekonomik, themel të shtetndërtimit demokratik dhe mundësi për mirëqenie sociale”, thuhet në komunikatë, ku theksohet edhe falënderimi i kryeministrit për rolin vendimtar të Aleancës Veri-Atlantike.
Duke folur për situatën e sigurisë, Kurti nënvizoi synimin dhe angazhimin e Kosovës për anëtarësim të plotë në NATO, duke e cilësuar atë si “përgjigjen më të mirë për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë në rajon”. Ai shtoi se “siguria e Kosovës në radhë të parë është siguri e kufijve të saj”.
Në takim, kryeministri e informoi admiralin Wikoff edhe për veprimet dhe rezultatet e institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit, si dhe për investimet e bëra në sektorin e mbrojtjes.
Në fund, Kurti e falënderoi admiralin Wikoff për takimin dhe bisedën, duke shprehur mirënjohje të veçantë për kontributin e vazhdueshëm të KFOR-it, si mision i NATO-s në Kosovë, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.






