Kanë filluar punimet ndërtimore në Parkun Industrial të Përgjithshëm “Drenas 2”, e në ceremoninë e nisjes së këtyre punimeve mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, raporton EO.
Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës do t’i mbështesë bizneset me orientim në prodhim e inovacion dhe krijimin e mundësive të reja për punësimin e të rinjve.
“Mbështetja e parqeve industriale është një nga masat e politikat e qeverisë që kanë objektiv zhvillimin industrial dhe gjenerimin e punësimit. Parku Industrial i Përgjithshëm ‘Drenas 2’, do të jetë në shërbim të bizneseve tona”, tha Kurti.
Ai ka theksuar se me investimin prej 7.7 milionë euro do të zgjerohet hapësira edhe për 50 biznese prodhuese dhe përfituese.
“Këtë javë po e nisim mbarë me punë të të tjera në dobi të qytetarëve dhe të shtetit. Sapo erdhëm nga Izbori nga Zvecani ku vendosëm gurthemelin e një stacioni të ri policor. E tash gjendemi këtu në Drenas teksa inaugurojmë fillimin e ndërtimit të Parkut Industrial 2 të Përgjithshëm në kilometrin e 22-të përgjatë magjistrales Prishtinë-Pejë, në fshatin Korreticë e Epërme dhe përballë parkut ekzistues të biznesit në këtë komunë”.
“Në mbledhjen e 208 të qeverisë së Republikës së Kosovës me 13 qershor miratuam planifikimin e këtij parku që do të jetë në pronësi të qeverisë. Me një investim prej 7.7 milionë euro do të zgjerohet hapësira edhe për 50 biznese prodhuese dhe përfituese, përfshirë bizneset me veprimtari inovative që do të kontribuojnë dhe përfitojnë nga ekonomia qarkore”, ka thënë Kurti.
Kurti tha se ky projekt i rëndësishëm u inicua dhe u propozua nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Agjencia KIESA.
“Me qeverisjen e mirë dhe politikat zhvillimore do të fuqizojmë ekonominë e vendit dhe po e mbështesim sektorin e prodhimit për të shpalosur potencialin e tij të plotë dhe për të kontribuar në mënyrë më efektive për zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës për qytetarët e vendit tonë. Pra, një zhvillim që i qëndron kohës dhe një zhvillim që nuk e lë askënd mbrapa”, ka thënë Kurti.
Ai tha se mbështetja e krijimit të parqeve moderne industriale me karakteristika të përshtatshme edhe për mbrojtje të mjedisit, është një nga masat tona qeveritare në kuadër të Politikës Industriale 2030 me objektiva kryesore për zgjerimin e prodhimit industrial, lehtësimin e industrisë qarkore dhe të gjelbër, gjenerimin e punësimit më të mirë dhe inkluziv, rritjen e pjesëmarrjes së inputeve, burimeve vendore në prodhim dhe reduktimin e deficit tregtar industrial.
“Parku Drenas 2, pritet të jetë sa më shumë i gjelbër, me qasje në energji të ripërtërishme, me objekte të menaxhimit të mbeturinave e të ngjashme. Të gjitha këto të domosdoshme për prodhimin e produkteve neutrale ndaj karbonit, sepse eksportet tona janë duke u shtuar dhe do të paguhet gjithnjë e më shumë kjo taksa, e cila më pastaj e rrit koston e prodhimit. Do të jetë ky park në shërbim të bizneseve tona me veprimtari inovative për të rritur riciklimin në prodhim dhe për të kontribuar në zhvillimin e industrisë së gjelbër, ashtu që prodhimet e Kosovës t’i përmbushin standardet evropiane dhe për tregun evropian, që është tregu ynë kryesor i jashtëm, të kemi gjithnjë e më shumë produkte, të cilat e kanë edhe cilësinë, por edhe standardizimin e asaj cilësie”, tha Kurti.
Sipas kryeministrit për më shumë se kaq, ky park do të kontribuojë në nxitjen dhe mbështetjen e investimeve të qëndrueshme vendore dhe të huaja, “pra edhe të investojnë biznesmenët vendas këtu, ta riinvestojnë fitimin e tyre, por edhe ata të huaj, e dihet që investimet e huaja direkte janë rritur për 134 për qind tri vitet e fundit, me veprimtari të ndryshme të tyre prodhuese e përpunuese, e gjithashtu edhe në punësimin dhe aftësimin e fuqisë punëtore, nxitjen dhe transferimin e teknologjisë së avancuar, pastaj lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve, nxitjen e një ekosistemi inovativ, rritjen e konkurrueshmërisë dhe sigurisht mbështetjen e eksportit”.
Po ashtu ai tha se këto parqe industriale janë dëshmi se besohet në konkurrencën e lirë midis bizneseve, por gjithashtu mundësohet nga qeveria edhe bashkëpunimi midis bizneseve për vlerë të shtuar.
“Me reformën përmes Ligjit të Ri për Parqet Industriale e Teknologjike, me udhëzimet administrative të reja e përkatëse dhe me një buxhet në kornizë 3 vjeçare prej 30 milionë euro investime kapitale, ne po i ndërtojmë dhe sjellim në funksion të gjitha zonat ekonomike të themeluara, me synim që t’i shndërrojmë të gjitha zonat ekonomike, në parqe efektive industriale dhe parqe efektive teknologjike. Pra, ajo çfarë po angazhohemi me fokus të posaçëm, është të bëjmë kalimin nga zonat ekonomike të pafunksionalizuara ose zonat ekonomike me shumë aktivitete, por pa menaxhim të mirëfilltë, drejt parqeve industriale të specializuara, parqeve industriale të gjelbra dhe parqeve të teknologjisë e të inovacionit”, tha ai.