Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me shefin e zyrës së Bashkimit Evropian, Aivo Orav, ka thënë se BE është organizata e paqes dhe sigurisë e ku nënvizon se është e nevojshme që Kosova ta marr statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian.
Kurti poashtu thotë të kenë biseduar edhe për marrëveshjen për Planin e Rritjes që u miratua në Kuvend të premten.
“E falënderova ambasadorin Orav, shefin e misionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, për urimin e tij me rastin e konstituimit të Kuvendit të legjislaturës së 10-të dhe për formimin e Qeverisë, si dhe për aprovimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, i cili ka vlerë të gjithmbarshme për Republikën tonë prej 882.6 milionë euro. Nga këto, afër 30 për qind janë grante, ndërkaq mbi 70 për qind janë kredi”, tha Kurti, raporton EO.
I pari i ekzekutivit nënvizoi se BE është partner i besueshëm i Kosovës.
“Gjithashtu, i përsërita zotimet e Republikës së Kosovës se shteti ynë do të jetë, siç ka qenë përherë, partner i besueshëm dhe serioz i Bashkimit Evropian. Ne konsiderojmë që Bashkimi Evropian është organizata e paqes dhe sigurisë, ku ne dëshirojmë edhe të kontribuojmë, edhe të përfitojmë. Për këtë është e nevojshme që sa më parë të marrim statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian, që do të na ndihmojë t’i përshpejtojmë agjendën e reformave, që padyshim do të jetë prioritet i Qeverisë sonë”, theksoi Kurti.






