Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se pas certifikimit të rezultateve do të nis komunikimet me partitë politike për formimin e institucioneve të Kosovës.
“Përbesë porsa të certifikohen rezultatet fillojmë komunikimet menjëherë”, tha shkurt Kurti para gazetarëve.
Në anën tjetër, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thanë të hënën për Gazetën Online Reporteri.net se do të presin 48 orë pas dy vendimeve të fundit të PZAP, ku u rrëzuan dy kërkesat e dy kandidatëve për deputet të PDK-së, dhe pastaj të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i zgjedhjeve.
Sipas KQZ-së, pas plotfuqishmërisë së vendimeve do të vlerësohet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për institucionin, para se të procedohet me shpalljen e rezultateve përfundimtare.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Mund t’iu konfirmoj se KQZ është njoftuar me vendimet e PZAP-it lidhur me 2 ankesat e paraqitura në këtë institucion. Ndaj këtyre vendimeve të PZAP-it, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Gjykatën Supreme, andaj KQZ do të presë që vendimet të marrin formën e prerë.
Pas plotëfuqishmërisë së vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në, për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”, tha të hënën zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.





