14.4 C
Pristina
E premte, 20 Shtator, 2024

Kurti paralajmëron rrezikun në rritje për inskenime të sulmeve të dhunshme nga Serbia

Përgatiti: Driton Sadiku

Situata në veri të vendit pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit vazhdon të jetë e brishtë. Madje, për kryeministrin Albin Kurti, rreziku i përsëritjes së akteve të tilla në shenjë hakmarrjeje është në rritje.

Në nisje të mbledhjes së kabinetit qeveritar, kryeministri tha se këtë e bazon në informatat e institucioneve të sigurisë dhe të inteligjencës.

“Lirimi i Millan Radoiçiq-it, më pak se 24 orë pas arrestimit, është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje, sepse më 24 shtator, Beogradi zyrtar e militar dështoi. Institucionet tona të sigurisë dhe të inteligjencës, së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme, nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë, nuk kanë vënë çmim tavan. Nuk do të zgjedhin mjet”, tha Kurti.

Për këtë arsye, i pari i ekzekutivit u bëri thirrje në veçanti serbëve të Kosovës të jeni të vëmendshëm, në rast të situatave të tilla të inskenuara dhe dashakeqe.

“Andaj, ju bëj thirrje, veçanërisht juve të nderuar bashkëqytetarë serbë, që ditëve, javëve dhe muajve në vijim të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet e aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe. Në Kosovë, jemi të gjithë të barabartë, sepse shteti është ligjor dhe demokratik. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Të raportoni sjelljet e dyshimta në komunitetet tuaja, t’i përcillni njoftimet e institucioneve, të ruani qetësinë në çdo situatë dhe të mos bini pre e dezinformatave”, tha Kurti.

Ngjarjet e 24 shtatorit ia kanë ndryshuar ekzekutivit edhe planin për procesin zgjedhor në komunat veriore, të cilin ekzekutivi ishte i gatshëm ta përkrahë si masë për shtensionim të situatës atje.

“Ndodhi që ne largojmë policët nga objektet e komunave edhe grupet kriminale organizohen në mënyrë që të bëjnë këto veprime terroriste, të planifikuara me datën 24. Masat për Kosovën kanë qenë të padrejta, atëherë mbesin të padrejta edhe sot, edhe duhet të shihet situata drejt dhe të veprohet në bazë të situatës faktike në terren. Kosova ka bërë çkado që ka qenë në dorën e saj për mbështetjen e këtij procesi, mirëpo Beogradi çfarë ka bërë? Ka dërguar një grup të terroristëve që ta aneksojnë veriun e Kosovës”, tha ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi.

Qeveria ndër tjera në mbledhjen e 165-të të saj mori edhe disa vendime, përfshirë atë për lirim nga akciza të disa produkteve për prodhuesit vendorë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA