Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve ka thënë se sot është dita e atyre që kanë ndërtuar gjithçka rreth nesh dhe që vazhdojnë të na zhvillojnë çdo ditë.
Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se qytetarët e Kosovës kanë një kuptim të rëndësishëm të vlerës së punës edhe përtej ekonomisë.
Ai po ashtu përmendi vendimin e Qeverisë për dhënien e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik duke i bërë thirrjë sektorit privat të ndjekë këtë shembull “sepse kompensimi i drejtë dhe përkujdesja e shtuar për punëtorët nuk duhet të jetë privilegj vetëm i sektorit publik”.
“Vendosëm pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik. Për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shteti njohu në mënyrë konkrete kontributin e vazhdueshëm të punonjësve të tij. I bëmë e vazhdojmë t’i bëjmë thirrje edhe sektorit privat të ndjekë këtë shembull, sepse kompensimi i drejtë dhe përkujdesja e shtuar për punëtorët nuk duhet të jetë privilegj vetëm i sektorit publik”, ka shkruar Kurti.





