Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se janë të gatshëm që të bashkëpunojnë me çdo administratë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), pavarësisht se cili kandidat ka fituar. Pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale, Kurti tha se qeveria është e interesuar të vazhdojë bashkëpunimin jo vetëm në aspektin diplomatik. I pyetur për bisedën mes Trump e presidentit, Aleksandër Vuçiq, shefi i ekzekutivit tha se “kush i ka raportet më mirë me kënd nuk e di këtë punë”.
Kështu u shpreh Kurti pas vizitës në Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, ku shtoi se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara është i pazëvendësueshëm.
“Ne bashkëpunojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të pazëvendësueshme dhe me gjithë përkushtimin dhe sinqeritetin dhe seriozitetin tonë. Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që është njëkohësisht edhe presidenti i kaluar i SHBA-së një letër urimi që i kishte dërguar pararendësi para nesh para kësaj qeverisje, po ashtu e ka vendosur në thelb njohjen reciproke si diçka qendrore për raportet e ardhshme normale mes Kosovës dhe Serbisë. Ne dëshirojmë, jemi të gatshëm, shumë të interesuar që ta vazhdojmë këtë angazhim pse jo edhe ta zgjerojmë dhe thellojmë këtë bashkëpunim i cili shprehet jo vetëm në aspektin diplomatik por sidoqoftë aspekti diplomatik është prej më kryesore”, deklaroi Kurti para mediave.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë të dielën vonë se ka biseduar në telefon me Donald Trump, i cili ka fituar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA.
Kurti deklaroi se “kush i ka raportet më mirë me kënd nuk e di këtë punë”.
“Unë bëjë raporte zyrtare, shtetërore, politike. Kush i ka raportet më mirë me kënd nuk e di këtë punë, nuk mund ta them tani. Por duhet të presim, të japim pak kohë dhe të ecim përpara. Ne punojmë me çdo administratë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pavarësisht cili kandidat fitoi i cilës parti ështëai ose ajo dhe këtë e kemi traditë të cilën na e kanë sjellë vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e këtu do të kisha theksuar ardhjen e përfaqësuesve të shtetit amerikan në fund të viteve të 80-ta dhe në fillim të viteve të 90-ta që është udhëhequr nga Bob Dole, Tom Lantosh, dy republikanë dhe një demokrat dhe që prej atëherë nuk kanë ndryshuar asnjëherë një qasje e tillë. Çlirimin e kemi në kohën e presidentit demokrat, pavarësinë e kemi shpallur në kohën e presidentit republikan. Besoj që kjo flet shumë”, shtoi ai.
Shefi i ekzekutivit pas vizitës në Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë foli edhe për votimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.
“Këtë do ta marrim vesh jo më larg se sonte, ne jemi optimist gjithmonë dhe besojmë që do t’i kalojmë të dy leximet e buxhetit 2025. Është një buxhet i cili është zhvillimor dhe i mirëqenies nga i cili përfitojnë qytetarët e Kosovës dhe unë mendoj që është gabim nëse opozita vetëm për shkak se është opozitë konsideron që duhet të mos e votojë projektligjin e buxhetit për vitin 2025. Me këtë rast po zhvillohet debati në Kuvendin e Republikës dhe besoj që nëse jo në orët e pasdites së vonë, atëherë më së voni në orët e mbrëmjes do ta marrim vesh se kush prej deputetëve do të qëndrojë e si do të votojë”, përfundoi Kurti. /kp