PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ
Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin gjatë vizitës që pati sot në Kosovë ka kritikuar ngjarjet e së premtes në veri duke thënë se për një “budallallëk” sic e quaji, nuk mund të prishet marrëveshja e Ohrit. Gjatë ditës ai takoi edhe presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti.
Pa kaluar ende 24 orë nga tensionet në veri, në Kosovë ateroi emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Gjatë vizitës në Mitrovicën e Veriut, politikani gjerman kritikoi veprimet e së premtes.
“Nuk do të lejojmë që marrëveshja e Ohrit që ofron mundësi, të hidhet poshtë për shkak të një budallallëku. E kuptoj se për shumë njerëz në Republikën e Kosovës, deklaratat për marrëveshjen e Ohrit e ardhura nga Beogradi janë të papranueshme dhe vështirë të kuptueshme. Por, çdo politikan në këtë vend dhe rajon ka përgjegjësi për veprimet e veta”
Por, para se të nisej në Veri, gjermani, takoi kryeministrin Kurti e presidenten Osmani, të cilët cili ia treguan këndvështrimin për hyrjen e kryetarëve në objektet komunale.
“Në takim u diskutua për procesin e pas-zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, përfshirë këtu betimin dhe ditën e parë në punë të kryetarëve të zgjedhur. Kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të rezultateve të zgjedhjeve demokratike, duke shtuar se shkuarja e kryetarëve të komunës në zyrat e tyre të punës dhe ofrimi i shërbimeve bazike për qytetarë duhet të trajtohen si gjë normale”.
“Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për të shtensionuar situatën pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në veri të vendit në nëntor te vitit te kaluar dhe proceset demokratike e ligjore kanë vazhduar në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën”.
Krejt në fillim të ditës, emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor takoi komandantin e KFOR-it, Angelo Ristuccia për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.