Astronomët zbulojnë kuazarin më të largët dhe më të lashtë të njohur në univers

Në këtë artikull
Teleskopi hapësinor Euclid ka zbuluar kuazarin më të largët dhe më të lashtë të identifikuar deri më tani, një objekt kozmik i fuqizuar nga një vrimë e zezë supermasive me masë rreth 360 milionë herë më të madhe se ajo e Diellit.
Objekti, i emërtuar J1504+6252 dhe i pagëzuar me emrin Dún Aonghasa, vëzhgohet në një periudhë kur universi ishte vetëm rreth 630 milionë vjet i vjetër, afërsisht 13.1 miliardë vjet më parë. Zbulimi shënon një rekord të ri, duke e çuar kufirin e vëzhgimit të kuazarëve rreth 40 milionë vjet më tej në të kaluarën, krahasuar me rekordin e mëparshëm.
Reklamë
Kuazarët janë bërthama jashtëzakonisht të ndritshme të galaktikave, të fuqizuara nga vrima të zeza supermasive që thithin gaz dhe pluhur përreth tyre. Materiali që grumbullohet në diskun e akrecionit nxehet në temperatura ekstreme dhe lëshon sasi të mëdha energjie, duke bërë që kuazari, në disa raste, të shkëlqejë më shumë se të gjitha yjet e galaktikës përreth të marrë së bashku.
Një vrimë e zezë masive në universin e hershëm
Kuazari Dún Aonghasa u identifikua nga miliona objekte të analizuara në të dhënat e mbledhura nga teleskopi Euclid gjatë rreth 18 muajve të vëzhgimeve. Zbulimi u konfirmua më pas përmes një fushate të gjerë vëzhgimesh nga teleskopë tokësorë dhe hapësinorë, përfshirë W.M. Keck Observatory, Large Binocular Telescope Observatory, Hubble dhe James Webb.
Ishte teleskopi James Webb ai që përcaktoi se vrima e zezë në qendër të këtij kuazari ka një masë prej rreth 360 milionë masash diellore.
Ajo që e bën këtë objekt veçanërisht interesant për astronomët është masa e tij e jashtëzakonshme, e arritur në një periudhë shumë të hershme të historisë së universit. Modelet teorike sugjerojnë se vrimave të zeza u nevojitet një periudhë e gjatë ushqimi me materie dhe bashkimi me vrima të tjera të zeza për të arritur masa prej miliona apo miliarda herë më të mëdha se Dielli.
Megjithatë, Dún Aonghasa duket se po konsumon material relativisht ngadalë në kohën kur po vëzhgohet. Kjo sugjeron se fazat më intensive të rritjes së tij kanë ndodhur më herët, duke ngritur pikëpyetje të reja mbi mënyrën se si vrimat e zeza supermasive u formuan dhe u rritën kaq shpejt në universin e hershëm.
Një dritare drejt epokës së parë të galaktikave
Vëzhgimi i Dún Aonghasa-s i mundëson astronomëve të studiojnë një periudhë kyçe të historisë kozmike, kur yjet dhe galaktikat e para po formoheshin dhe universi po kalonte nga epoka e errët drejt një faze ku drita mund të përhapej më lirshëm.
Teleskopi Euclid, i lëshuar në vitin 2023 nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA), ka si mision kryesor studimin e materies së errët dhe energjisë së errët, të cilat së bashku përbëjnë rreth 95% të përmbajtjes së përgjithshme të materies dhe energjisë në univers.
Megjithatë, aftësitë e tij për të vëzhguar zona të mëdha të qiellit dhe për të zbuluar objekte jashtëzakonisht të largëta po e shndërrojnë Euclid në një instrument të rëndësishëm edhe për studimin e kuazarëve dhe vrimave të zeza.
Sipas ESA-s, teleskopi ka identifikuar tashmë 31 kuazarë të lashtë, ndërsa 12 prej tyre ndodhen përtej kufirit të zhvendosjes drejt së kuqes (redshift) prej 7, duke përfaqësuar një avancim të rëndësishëm në vëzhgimin e universit të hershëm.
Zbulimi i Dún Aonghasa-s, i publikuar në revistën shkencore Astronomy & Astrophysics, mund të ndihmojë astronomët të kuptojnë më mirë se si vrimat e zeza supermasive arritën të formoheshin dhe të rriteshin në një kohë kaq të shkurtër pas Big Bengut.
Reklamë










