Përgatiti: Fatlum Jashari
Derisa KESCO-ja mohoi reduktimet në furnizimin me energji elektrike, të cilat i quajti “ndërprerje për shkak të kushteve atmosferike” dhe njoftoi “import ditor prej afër 1 milion euro”, KEDS-i vazhdon njoftimet për punime në rrjet – të cilat përdoren si arsye për “ndaljen e rrymës”.
Në tërë këto, krahas faktit se shumë qytetarë po mbesin në terr për orë e në raste edhe për ditë, vlerësohet se ka kundërthënie dhe dyshime për shkelje obligimesh.
Në cilindo rast të pretenduar, eksperti i energjisë Naim Bujupi sqaroi se KESCO-ja si Furnizues i Shërbimit Universal, me licencë, nuk guxon të lërë konsumatorët pa rrymë.
“Furnizuesi e ka përgjegjësinë që të ofrojë energji elektrike pandërprerë. Nëse ka mungesë të prodhimit vendor, ajo duhet të kompensohet nga importi. Ndërsa, sa i përket arsyes së dytë, prishjeve në distribucion, KEDS-i duhet të bëjë të gjitha intervenimet kur kërkesa është më e ulët, gjatë periudhës së verës, e jo tash gjatë dimrit”, tha Bujupi.
Teksa përmendi se për shumë qytetarët ngrohja me energji elektrike është e vetmja zgjidhje, ai shtoi se përkundër rrethanave nuk guxohet të mendohet skenari reduktimeve për të ulur koston e importit.
“Nëse ndodhë që të tejkalohet vlera e importit, kjo çështje është e rregulluar. Edhe në rastin më ekstrem të tejkalimit të vlerës së maturitetit, atëherë KESCO ka për obligim të kërkojë shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor në ZRRE. Dhe, sigurisht kjo reflekton në ngritje të tarifave, mirëpo nuk guxojmë të tentojmë t’i mbajmë tarifat e ulëta në një anë dhe në anën tjetër të rrezikojmë furnizimin me energji gjatë dimrit”, tha Bujupi.
Derisa ngre dyshime për manipulim, emërtimin e ndërprerjeve në furnizim, duke thënë se ato janë reduktime, Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu” evidentoi kundërthënie në deklarimet e KEDS-it për investimet në rrjet.
“Sipas tyre, ata jo vetëm që i kanë realizua investimet që i kanë pasë të parapara në kontratë, por edhe i kanë tejkaluar disa herët ato investime në rrjet. Nëse ke bërë investime në rrjet më shumë se sa që e ke pasë të paraparë, e në anën tjetër prapë po ka probleme për shkak të gjoja rrjetit, atëherë i bie ose ti s’ke investua ose ke investua, por po mashtron sepse nuk ka probleme me rrjetin e shpërndarjes”, tha Demhasaj.
KEK-u ndërkohë vazhdon heshtjen, duke pamundësuar një pasqyrë më të qartë numerike për prodhimin dhe importin.
Zyra e Rregullatorit për Energji këtë vit i ka lejuar KESCO-s dyfish më shumë sasi të importit, pasi kufiri i caktuar për vitin 2023 ishte tejkaluar.