Në këto 21 ditë fushate elektorale për zgjedhjet e 12 tetorit, është vërejtuar mungesë e theksuar e pjesëmarrjes në përballje publike të kandidatëve për kryetarë komune, veçanërisht të atyre që aktualisht mbajnë postin e kryetarit.
Njohësit vlerësojnë se kjo sjellje tregon se në Kosovë nuk ka kulturë të mirëfilltë politike.
Analisti politik Lavdim Hamiti, madje beson se bazuar në të kaluarën, kjo do t’iu kthehet kundër në ditën e votimit.
“Ka qenë rasti i Isa Mustafës, i cili pati një deklaratë të famshme ‘e mund Shpend Ahmetin me duar në xhepa’. Por kjo iu hakmor në zgjedhje dhe e humbi Prishtinën. Kështu besoj se do të ndodhë edhe me shumicën e kryetarëve që po refuzojnë të dalin dhe të ballafaqohen me kundër kandidatet,” tha Hamiti.
Hamiti shtoi se disa prej tyre kanë bërë kalkulime se do të shkojnë në balotazh dhe ballafaqimin me një kundërkandidat do ta kenë më të lehtë në raundin e dytë.
Për Mentor Buzhalën shmangin po e bëjnë kandidatë të cilët besojnë se janë në avantazh.
“Së pari, ata besojnë se janë në avantazh dhe nuk duan të rrezikojnë ndonjë gafë apo pyetje të papërshtatshme që mund t’i përballen nga moderatori. Një shembull praktik është që, kur pas dy ballafaqimeve në mediat tona kandidatët vendosin të mos shfaqen duke llogaritur se çdo debat i ri ua shton rrezikun për faktin që të mos humbasin asgjë, sesa të fitojnë diçka të vogël,” deklaroi Buzhala.
Sipas Buzhalës kjo sjellje nuk do të mbetet pa pasoja, meqë shumë votues do ta interpretojnë si frikë nga përballja dhe mungesë llogaridhënie.
Në zgjedhjet lokale, për kryetarë të komunave garojnë 206 kandidatë, ndërkaq për anëtar të Kuvendeve Komunale më shumë se 5,400.







