Përgatiti: Teuta Arifaj
Disa javë pasi u njoftua që Sllovakia do ta mbyllë zyrën ndërlidhëse në Kosovë, kryeministri i këtij shteti, i cili i mbijetoi një atentati, vizitoi Beogradin.
Duke thënë se respekton integritetin territorial të Serbisë, Robert Fico i tha presidentit serb se lidhur me Kosovën s’do ta tradhtojë kurrë.
“Më duhet të ritheksoj që ne e respektojmë integritetin tuaj territorial dhe kur bëhet fjalë për Kosovën nuk do t’ju tradhtojmë asnjëherë”, tha Fico.
Fico, madje, tha se Sllovakia dëshiron që në kuadër të misionit të KFOR-it ta kthejë ushtrinë e saj në Kosovë për të ndihmuar që bota të ketë pamje më objektive rreth ngjarjeve këtu.
“Do të doja që Sllovakia të kthehet me ushtarë në misionin e KFOR-it, këtë merreni si shërbim, sepse duam që bota dhe ne të kemi informata objektive e t’ju ndihmojmë”, tha Fico.
Ndonëse, shtet anëtar i NATO-s, Sllovakia nuk ka ushtarë në kuadër të KFOR-it në Kosovë.
Derisa folën edhe për çështje të tjera strategjike, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, dhe kryeministri sllovak u pajtuan që në muajin maj të udhëtojnë për në Moskë, me ç’rast do të kremtojnë 80-vjetorin e çlirimit nga fashizmi.