Për më shumë se pesë vjet banorët në lagjen “Bledi”, në rrugën “Sami Frashëri” në Prishtinë, janë furnizuar me ujë në mënyrë ilegale.
Sikur kjo të mos mjaftonte, dikush kishte vendosur edhe një çezmë në oborrin e ndërtesës.
Por nga sot atyre iu ndërpre furnizimi me ujë deri në përmbushjen e obligimeve ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.
Disa prej banorëve, përmes intervenimeve, u munduan t’i bindnin punonjësit që të mos i shkyçin ata nga rrjeti i ujësjellësit.
Por nuk ia dolën. Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit ”Prishtina” ishin të vendosur që ndërtesën ta shkyçin nga rrjeti i ujësjellësit dhe ashtu u bë.
Arjeta Mjeku, zëdhënëse në KRU “Prishtina”, tha se ky aksion do të shërbejë si mësim për konsumatorët se detyrimet ndaj KRU-së duhet kryer.
“Me këtë aksion, kemi bërë shkyçjet më të mëdha deri më tani. Kemi bërë shkyçje të dy objekteve banesore që e kanë shfrytëzua ujin e kompanisë në mënyrë ilegale, për më shumë se 5 vjet”, tha Mjeku.
Njësoj vepruan edhe në një ndërtesë tjetër në rrugën “C”, ku banorët po furnizoheshin me ujë në mënyrë ilegale.
“Na ju kemi dhënë afate mjaftueshëm. Janë edhe njoftimet ma herët. Deri në momentin që nuk kemi pasë mundësi ma me iu dhënë afate, po këta nuk i kanë plotësuar asnjë kusht të paraparë dhe për këtë duhet të shkyçen”, tha ushtruesi i detyrës për kontrolle dhe shkyçje, Gazmend Behluli.
Nga kompania rajonale e ujësjellësit thonë se ky aksion do të vazhdojë gjatë tërë vitit. /atvlive.tv