Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovica ka lëshuar një paralajmërim të fundit për të gjithë konsumatorët paushall që ende nuk kanë vendosur ujëmatës në objektet e tyre.
Përmes një njoftimi, kompania bën të ditur se afati për vendosjen e ujëmatësve është deri më 20 prill dhe u bën thirrje konsumatorëve që ta përmbushin këtë obligim brenda këtij afati.
Sipas KRU Mitrovica, pas kësaj date ndaj të gjithë konsumatorëve që nuk kanë vendosur ujëmatës do të ndërmerren masa, të cilat përfshijnë trajtim individual të rasteve, shkëputje nga rrjeti i ujësjellësit, si dhe fillimin e procedurave ligjore.
Kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që ta trajtojnë me seriozitet këtë njoftim dhe të veprojnë brenda afatit të përcaktuar, në mënyrë që të shmangin masat ndëshkuese.






