PËRGATITI: ARTON HAMITI
Aktivitetet e prokurimit në nivel vendi janë përcjellë me kritere diskriminuese në dosjet e tenderëve, planifikim të dobët të vlerave të kontratave, procedura të negociuara në kundërshtim me kushtet ligjore dhe aneks-kontrata pa u plotësuar kriteret.
Këto problematika, në fakt, sipas Iniciativës për Progres, ndikojnë negativisht në integritetin e prokurimit publik.
VOX: ARBËR KABASHI, INPO
Edhe nëse janë ndjekur të gjitha procedurat gjatë një aktiviteti të prokurimit, problematik po del të jetë menaxhimi i dobët i kontratave të nënshkruara.
“Ne kemi parë shumë storje në rrjete sociale, por edhe në televizione, e kemi pasur edhe përvoja tona që në një vend të caktuar është shtruar një rrugë teksa pas një jave ajo ka filluar të prishet. Pra këtu kemi të bëjmë me dështim të menaxhimi të asaj kontrate.”, tha Hykmete Bajrami, kryetare e komisionit për mbikëqyrje të financave.
Për të gjitha këto praktika, Zyra Kombëtare e Audimit ka qenë e njoftuar vazhdimisht.
“Kemi raporte të veçanta të performancës të cilat trajtojnë fushën e Prokurimit Publik. Shumica e gjetjeve janë gjetje të njohura edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit, po ashtu shohim dhe shkaqet e ndodhura në mënyrë që të japim rekomandime dhe të eliminohen ato fusha. Si mekanizëm është mjaft e mirë për të përmirësuar fushën e prokurimit. Edhe Ligji i Prokurimit Publik nuk po arrin të finalizohet dhe të konkretizohet. Janë njerëzit që udhëheqin këtë procedurë, nëse ai ligj nuk zbatohet, do të ketë probleme.”, deklaroi Arben Selimi, specialist i Auditimit.
Sidoqoftë, në tryezën e organizuar nga INPO, ku u bë publikimi i raportit “Katalizatorët e Korrupsionit” u theksua nevoja për Ligjin e ri të Prokurimit Publik. Raporti që përmend praktikat që cenojnë integritetin e prokurimit, u publikua në kuadër të javës kundër korrupsionit.