Fundjavën e kaluar, Teatri Metropol u mbush me ngjyra, muzikë dhe emocione përmes shfaqjes interaktive për fëmijë “Krishtlindjet e humbura”, e cila solli një atmosferë magjike dhe plot fantazi për vogëlushët.
Publiku i ri ndoqi aventurën e Anës dhe Kristës, dy vajzave që zbulojnë se fryma e Krishtlindjes në qytetin e tyre është zhdukur në mënyrë misterioze. Dritat janë fikur, këngët kanë pushuar dhe gëzimi duket sikur është shuar plotësisht.
Udhëtimi i tyre i çon përmes pyjeve të humbura dhe takimeve me personazhe të veçantë, ku çdo ndalesë i mëson se magjia e vërtetë nuk është larg, por jeton në zemrat e njerëzve. Një zë misterioz u zbulon se Krishtlindjet mund të rikthehen vetëm duke gjetur tre elemente thelbësore: dashurinë, mirësinë dhe besimin.
Shfaqja ndërthur dialogun, muzikën dhe ndërveprimin e drejtpërdrejtë me publikun, duke e bërë çdo fëmijë pjesë të historisë. Misteri i Krishtlindjeve zgjidhet në fund me ndihmën e një personazhi të papritur, duke sjellë emocione dhe mesazhe të ngrohta.
Për të gjithë ata që nuk patën mundësi ta ndjekin, “Krishtlindjet e humbura” do të rikthehet në skenën e Teatrit Metropol edhe në fundjavën e ardhshme, më 20 dhe 21 dhjetor, për të vijuar magjinë festive për vogëlushët.






