Përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës, në krye me kryetarin Agim Ademi dhe përzgjedhësin Franco Foda, së bashku me lojtarët Edon Zhegrova, Florent Muslija dhe Arijanet Muric kanë vizituar SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë, ku me përveç takimeve më fëmijë, kanë ndarë edhe një shumë parash si donacion.
Gjatë ditës së djeshme (e martë), fëmijët e SOS Fshatit në Prishtinës patën një befasi të madhe, pasi dyert e tyre u trokitën Zhegrova, Muric dhe Muslija, të shoqëruar nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe përzgjedhësi Franco Foda.
Sipas faqes zyrtare të SOS-it, fshati gumëzhinte nga zhurma e fëmijëve që vraponin për të përqafuar yjet e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe për të biseduar me ta, teksa pyetjet nuk kishin të sosur.
Aty nuk mungoi as loja e futbollit, ku talenti i fëmijëve të SOS Fshatit në Prishtinë i la të gjithë të habitur.
Në fund, kryetari i FFK, Agim Ademi, njoftoi se FFK së bashku me Muslijën, Muric dhe Zhegrovën do të dhurojnë 4,000 euro për fëmijët e SOS Fshatit, një kontribut i jashtëzakonshëm për rritjen dhe mirëqenien e tyre.