Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, kjo parti nuk mori mbështetjen nga anëtarët e KQZ-së të enjten.
Pro votuan kryetari Kreshnik Radoniqi dhe përfaqësuesja e Listës Serbe. Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa abstenimet ishin nga përfaqësuesit e partive të tjera.
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e kësaj partie duke publikuar dokumente që tregonin se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë, mbajnë pozicione në organet paralele të Serbisë në Kosovë.
“Kemi një parti politike, që ka trashëgimi terroriste dhe një të tashme terroriste. Përveç kësaj, ka elementë të tjerë, persona që kanë marrë pjesë edhe në sulme terroriste edhe në sulme të ndryshme. Tash i kemi edhe veprimet e institucioneve për ndjekje penale. Në mesin e tyre ka edhe persona që në të vërtetë, në mënyrë subersive punojnë kundër Republikës së Kosovës. Ata mbajnë pozicione në organet e ashtuquajtura paralele të Serbisë. Dhe njëkohësisht mbajnë pozicione cilado qofshin ato në organet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurteshi fillimisht, teksa ka marrë shembull kandidatin e Listës Serbe për kryetar të Novobërdës, Sasha Millosheviq, që është edhe kryetar i komunës paralele të Gjilanit në autoritetet e Serbisë.
Kurteshi ka thënë se Millosheviqi është “kamxhiku i Radoiçiqit për Anamoravë”. Ai ka thënë se këta persona kanë cak minimin e Republikës dhe shkatërrimin e sovranitetit të Kosovës.
Pas Kurteshit, ka reaguar anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani. Ai ka thënë se informatat e tilla duhet t’i ofrohen KQZ-së në mënyrë institucionale përmes organeve të sigurisë. Ai ka bërë të ditur se PDK-ja ka vendosur të abstenojë në votim deri sa të ketë veprime konkrete nga institucionet e sigurisë.
“Sa herë vjen koha e zgjedhjeve kjo përsëritet. Këto informata kisha pas dëshirë që t’i pranoj në mënyrë institucionale e jo që t’i shohim tash. Por sidoqoftë si përfaqësues i PDK-së, abstenojmë nga votimi për certifikimin e Listës Serbe duke i marrë parasysh këta kandidatë, por edhe të gjitha ato diskutimet. S’jemi për certifikim, por abstenojmë nga votimi derisa nuk ka veprime konkrete nga institucionet tjera të sigurisë që na tregojnë rrugën që duhet të ndiqet për këtë subjekt politik”, ka thënë ai.
Kurteshi u përgjigj duke thënë se anëtarët e Listës Serbe janë pjesë e institucioneve paralele me nënshkrim të autoriteteve të Serbisë dhe si të tilla këto dokumente nuk hyjnë në kuadër të hetimeve të institucioneve vendore.
Elshani më pas ka thënë se megjithatë Zyra për regjistrim të partive e ka rekomanduar certifikimin duke u bazuar në kriteret që i kanë vendosur vetë institucionet shtetërore.
Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës më pas ka thënë se është për keqardhje që këto dokumente nuk janë ofruar nga institucionet e sigurisë dhe ato ligjore.
“E kemi zyrën e partive politike. Sekretariati që vjen me informacione dhe i lexon dhe thotë që kjo parti i plotëson kriteret formale në bazë të informacioneve relevante që merren me këto punë për t’u certifikuar nga komisioni qendror i zgjedhjeve. Unë kam përshtypjen që ne nuk kemi hapësirë se si të veprojmë. As për as kundër, pos që ta refuzojmë votimin ose të abstenojmë”, ka thënë ai para votimit.
Ndërkaq Alban Krasniqi, anëtar tjetër i VV-së në KQZ, ka thënë se zyra për regjistrim partish i ka këto informata.
“Prej katër komunave janë së paku 24 persona me të kaluar kriminale, por edhe në kërkim e që janë të gjithë pothuajse pjesë e strukturave paralele që Serbia ende i mban gjallë në Kosovë përmes lidhjeve të saj. Këto janë informacione që jam shumë i bindur që zyra i posedon dhe shtrohet një pyetje shumë e thjeshtë se a duhet lejuar ne si KQZ që nëse disa kandidatë që na vijnë, në këtë rast nga Lista Serbe, do të duhej t’i certifikonim nëse janë pjesë e strukturave paralele e disa edhe të organizatave që nga organet shtetërore janë shpallur terroriste”, ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se edhe shtetet e tjera kanë vënë vazhdimisht theksin se njerëz të Listës Serbe bëjnë presion te pjesëtarët e komunitetit serb në procesin e zgjedhjeve. Ai ka thënë se Lista Serbe vazhdimisht ka deformuar rezultatin e zgjedhjeve.
Ndërkaq Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se për t’ia ndaluar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhje, ajo duhet të shpallet organizatë terroriste nga organet e shtetit.
Ndërkohë KQZ-ja certifikoi partitë tjera më të mëdha në vend për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale. Në këtë mbledhje të KQZ-së u certifikua edhe Lidhja për Prishtinën pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Herën e parë ky subjekt nuk ishte certifikuar, me arsyetimin se emri i tij është i ngjashëm me identitetin dhe brendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Vendim i ngjashëm ishte marrë në KQZ edhe në zgjedhjet e kaluara, por ishte përmbysur pas ankesës në instanca më të larta.
E gjatë ditës, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, në një takim me kryeministrin në detyrë shprehu pikërisht shqetësimin për moscertifikim të partive të komunitetit serb. Ajo u shpreh se është tejet e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje.
Prattipati këtë kërkesë ua ka shtruar partive edhe në disa takime gjatë ditëve të fundit.