Kosova rrezikon të mbetet pa fonde nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ndërsa 61 milionë euro të parafinancimit tashmë janë humbur për shkak të bllokimit institucional pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Njohësit e integrimeve evropiane paralajmërojnë se zvarritja e konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të Qeverisë së re po e dëmton seriozisht qasjen e vendit në fondet e BE-së, të cilat synojnë të mbështesin reformat ekonomike, tranzicionin e gjelbër dhe digjitalizimin në rajon.
Nga paketa prej 6 miliardë eurosh e Planit të Rritjes, që mbulon periudhën 2024–2027, Kosovës i janë ndarë rreth 880 milionë euro – 250 milionë prej të cilave në formë grantesh pa kthim. Por, për shkak të mungesës së institucioneve funksionale, fondet mbeten të bllokuara, ndonëse vendi e kishte miratuar ndër të parat agjendën e reformave.
“Ky bllokim dërgon një sinjal negativ në Bruksel, ku frustrimi ndaj elitës politike kosovare po rritet”, tha për Radion Evropa e Lirë Donika Emini nga BiEPAG (Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit).
Ekspertët theksojnë se nëse Kosova nuk e nis zbatimin e reformave brenda afateve të planifikuara, BE-ja mund t’i rishpërndajë fondet për vendet që kanë avancuar më shpejt. “Pamundësia për t’i tërhequr fondet nënkupton edhe pamundësi për të zbatuar reformat”, tha Bekim Salihu nga Instituti GAP.
Ndërkohë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së vlerësohen si më të ulëtat në dekadën e fundit. Zyrtarët evropianë kanë pezulluar takimet brenda ndërtesës së Qeverisë deri në formimin e një ekzekutivi me mandat të plotë, ndërsa vendi mbetet nën masat ndëshkuese të BE-së të vendosura që nga qershori 2023.
Sipas ekspertëve, nëse kriza politike zgjat apo çon në zgjedhje të reja, Kosova rrezikon jo vetëm të humbasë fondet e BE-së, por edhe të thellojë hendekun në raportet me Brukselin.