Kosova është pranuar zyrtarisht si anëtarja e 154-të e Federatës Internacionale të Golf -it (IGF), duke shënuar një moment historik për zhvillimin e sportit të golfit në vend.
Ky anëtarësim vjen pas më shumë se një dekade përpjekjesh të vazhdueshme dhe pune intensive në ndërtimin e strukturës kombëtare të golfit, si dhe angazhimit në arenën ndërkombëtare. Pranimi në IGF e vendos Kosovën në hartën botërore të golfit dhe i hap rrugë përfaqësimit në garat ndërkombëtare, përfshirë edhe mundësinë e pjesëmarrjes në ciklet olimpike.
Anëtarësimi në Federatë nuk përfaqëson vetëm një status formal, por konfirmon rrugëtimin e gjatë të institucionalizimit të golfit në Kosovë, ndërtimin e kapaciteteve vendore dhe rritjen e besueshmërisë ndërkombëtare të këtij sporti.
Një rol kyç në themelimin dhe zhvillimin e golfit në Kosovë ka pasur shqiptaro-amerikani Dino Asanaj, i cili konsiderohet vizionari që solli dhe organizoi për herë të parë këtë sport në vend.
Kontributi i tij mbetet bazë e rëndësishme për strukturën aktuale të golfit kosovar.
Po ashtu, mërgata shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm në avancimin e golfit, përmes mbështetjes financiare, rrjetëzimit ndërkombëtar dhe përfaqësimit të Kosovës në forumet sportive ku qasja ka qenë shpesh sfiduese.
Federata e Golfit e Kosovës ka shprehur mirënjohje për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për mbështetjen institucionale, duke theksuar se bashkëpunimi me këtë institucion ka qenë vendimtar për arritjen e këtij suksesi.
Sipas Federatës, anëtarësimi në IGF krijon mundësi të reja për zhvillimin e infrastrukturës, edukimin e trajnerëve, rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve dhe afirmimin e Kosovës si pjesëmarrëse aktive në komunitetin ndërkombëtar të golfit.
Kosova bëhet kështu pjesë e familjes globale të golfit, duke hapur një kapitull të ri për këtë sport dhe për përfaqësimin sportiv të vendit në arenën ndërkombëtare. /ATVLIVE.TV






