Përgatiti: Sara Shehu
Krerët e institucioneve të Kosovës kanë nderuar viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë homazheve te pllaka përkujtimore “Kosova Kujton”, kryeministri Albin Kurti së bashkë me Ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, dhe zëvendësambasadoren e SHBA-së, Alyson Grunder, është thënë se që nga ajo kohë cilësori “terrorizëm” u bë një nga fjalët kyçe të fillimshekullit XXI.
Në nderim të viktimave edhe liderët e partive opozitare kanë përkujtuar sulmin e 11 shtatorit.
“Populli i Kosovës, misionet, të zgjedhurit e Kosovës, shqiptarët kudo që jeni, bashkëndjejmë me popullin amerikan, jo vetëm në këtë ditë. Përvjetori i sulmeve terroriste në tokën amerikane, një tokë e lirë e që mbrojti lirinë tonë dhe demokracinë në gjithë botën. Edhe unë bashkë me kolegë ashtu si të gjithë në këtë ditë vazhdojmë të qëndrojmë dhe qëndrojmë përjetë me Amerikën”, tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Veç homazheve, gjatë së hënës në Kosovë janë organizuar edhe disa aktivitete.
“Prej vitit 2001 ne si shoqatë, jo vetëm si shoqatë, por si pjesëtarë të popullit të Kosovës, pjesëtarë të popullit shqiptar, kemi bërë veprime, respekte, solidarizime me popullin mik, aleat, me mikun tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë mënyrë, kemi dashur të dërgojmë mesazhe së pari për popullin amerikan dhe institucioneve që populli i Kosovës, në veçanti populli shqiptar, është falënderues, nuk i harron veprimet e tyre dhe presim shumë përkrahje në të ardhmen. E dimë që keni bërë shumë edhe ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht, mirëpo ne në emër të shoqërisë civile kërkojmë që të bëni pak më shumë. E di që herë pas here s’kemi qenë në nivelin e detyrës, mirëpo, kërkojmë nga ju dhe nga institucionet e juaja qendrore, sepse e dimë që keni forcë dhe mundësi dhe të loboni pak më shumë dhe të detyroni pesë vendet evropiane ta njohin shtetin e Kosovës ”, tha kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi.
“Dua t’ju falënderoj për atë që keni bërë të gjithë këtu dhe për vëmendjen e mediave për këtë, të rinjtë, dhe përsëri ju falënderoj shumë, ju nuk e keni harruar kurrë premtimin tuaj, ndaj faleminderit”, tha Edward Anderson, drejtor i Departamentit për Sigurinë dhe Sigurinë Publike në OSBE.
Në shenjë solidariteti zjarrfikësit në Prishtinë për disa minuta rresht aktivizuan sinjalizuesit.
“Ne paraprakisht jemi përgatitur për këtë ditë, për 11 shtator. Në nderim të viktimave të rënë, por edhe falënderim për shtetin e Amerikës. Siç dihet një shtet i cili na ka përkrahur në kohët më të vështira, duke përfshirë këtu edhe një falënderim për ish-presidentin, Bill Clinton. Aktivitetet tona kanë qenë sot në orën 08:30 në mëngjes, e kemi bërë pastrimin e platesë dhe të shtatores të ish-presidentit Bill Clinton. Kemi bërë edhe ndërrimin e flamurit, ndërsa në orën 10:55, katër automjete të zjarrfikësve edhe me 20 trupa të zjarrfikësve kemi marrë pjesë në këtë manifestimin për 11 shtator”, tha Abdusamed Shkodra nga Brigada e Zjarrfikësve në, Prishtinë.
22 vjet më parë, 3 mijë njerëz kanë vdekur nga sulmet terroriste, në Kullat Binjake në Nju Jork, në Pentagon dhe në një fushë në Pensilvani.