Përgatiti: Teuta Arifaj
Tashmë miliona amerikanë e kanë hedhur votën në zgjedhjet presidenciale.
Ndonëse, bazuar në sondazhe, fituesi i këtyre zgjedhjeve nuk dihet, megjithatë një gjë është e sigurt se demokrates Kamala Harris apo republikanit, Donald Trump, i duhen 270 vota elektorale për të fituar.
Sipas sistemit amerikan, nuk është vota popullore ajo që përcakton se kush do të jetë president, por Kolegji Zgjedhor prej 538 anëtarësh, në të cilin secili shtet ka një numër të përcaktuar të zgjedhësve, që është numër i barabartë me numrin e përfaqësuesve që shtetet kanë në Kongres.
Por, rol të madh në këto zgjedhje si gjithmonë do të kenë edhe shtetet e njohura si të papërcaktuara. Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Wisconsin, janë vendimtare për zgjedhjen e presidentit të 47-të të shtetit më të fuqishëm në botë.
Qendrat e votimit u hapën në orën 11:00, sipas kohës lokale në Kosovë në disa shtete lindore dhe votimet do të vazhdojnë deri në orët e mbrëmjes, në shtetet që ndodhen në perëndim të Shteteve të Bashkuara.
Trump po garon për herë të tretë, pasi humbi zgjedhjet më 2020, ndaj presidentit aktual, Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara presidenciale në korrik, pasi sondazhet treguan se ai kishte pasur paraqitje të dobët gjatë debatit me Trumpin dhe kishte shqetësime lidhur me moshën e tij.
Zëvendësimi i tij nga radhët e demokratëve, Harris, nëse zgjidhet do të bëhej gruaja e parë presidente e SHBA-së dhe personi i parë me prejardhje nga Azia Jugore.
Më shumë se 77 milionë votues tashmë kanë votuar, por zgjedhjet e 5 nëntorit do të jenë test kritik se cili kandidat ka bërë punë më të mirë për të bindur mbështetësit e tyre që të votojnë.
Harris tashmë ka votuar përmes postës. Trump planifikon të votojë në Florida në ditën e zgjedhjeve.