Kosova e ka ekstraduar të hënën në Turqi një shtetas turk që ishte nën kërkim me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Turqia nën dyshimin për veprat penale “shfrytëzim seksual i fëmijës” dhe “privim i lirisë së fëmijës”, të sanksionuara sipas kodit penal të shtetit turk.
I dyshuari ishte arrestuar nga njësitet e Policisë së Kosovës dhe është ekstraduar falë bashkëpunimit me institucionet turke.
“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më datë 05.01.2026 ka bërë ekstradimin nga Kosova në Turqi të një shtetasi turk. I dyshuari ishte arrestuar nga njësitet e Policisë së Kosovës pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Turqisë nën dyshimin e përfshirjes në vepra penale si: “Shfrytëzimi seksual i fëmijës’’ dhe ‘’Privimi i lirisë së fëmijës’’, të sanksionuar sipas kodit penal të shtetit turk”, thuhet në njoftim të Policisë së Kosovës.
Policia ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me shtete e organizata ndërkombëtare me qëllim të ndalimit të aktiviteteve kriminale.






